Lajmi për vdekjen e një të riu shqiptar në Islandë ka tronditur miqtë e të afërmit e tij. 20-vjeçari Klevis Sula, ndërroi jetë rreth orës 14:00 të së premtes, në një spital të Reykjavik.
Ai u godit me thikë më datë 3 dhjetor, në rrethana dhe për arsye ende të panjohura zyrtarisht. Lajmin për vdekjen e tij e kanë ndarë edhe miq e të afërm të të riut, në rrjetet sociale.
Krist I. për të cilin mediat islandeze shkruajnë se ishte personi me të cilin 20-vjeçari jetonte, në një postim në rrjetet sociale shkruan:
“Me keqardhje ju njoftoj se shoku ynë dhe miku ynë i dashur Klevis Sula ka ndërruar jetë dje rreth orës 14:00. I pa harruar qoftë kujtimi i tij dhe ngushëllime familjes për këtë dhimbje të madhe dhe sa më shumë force dhe kurajo për të kaluar sprova të tilla qoftë i lehtë dheu për të”.
Ndërsa Andrea Zisaj, një tjetër mik i Sulës, në një postim po në Facebook të ndarë edhe nga mediat islandeze, thotë se ai ishte një djalë e mrekullueshëm, i cili përpiqej gjithnjë që të ndihmonte njerëzit në nevojë. Por jo vetëm kaq, i riu Zisaj tregon edhe versionin e tij për ngjarjen. Sipas tij, Klevisi u vra nga dikush të cilit i ofroi ndihmë, shkruan klan.tv.
“Doni ta dini si vdiq? Ai po tymoste një cigare jashtë një lokali dhe një burrë po qante pranë tij. Ai shkoi dhe ofroi ndihmë, por në këmbim mori një thikë të mprehtë. Kaq e lehtë është për të vdekur në një prej vendeve të konsideruara si më të sigurtët në botë”.