Rikthehet Luar: Nga hit-i “Gjithmonë” me Mumajesin tek “Si dje” me strofën e Alibalit

0
293

Pas pesë vitesh shkëputje nga tregu muzikor këngëtarja Luar Arani është rikthyer sërish. Ka qenë kënga “Si dje”e publikuar para shumë pak kohësh që e rikthehu në skenën muzikore. Të gjithëve na kishte munguar zëri i saj karakteristikë, i ëmbël dhe i brishtë. Edhe pse bëhej fjalë për një shkëputje 5 vjeçare, Luar mbetet e njëjta vajzë e talentuar që ne ishim mësuar ta shihnim, vetëm se sot ajo vjen në një version më të pjekur dhe më me përvojë. E zhvendosur në Berlin ku ka përfunduar me sukses anën e saj akademike, ky ka qenë momenti i duhur që ajo të rikthehej në tregun muzikor shqiptar, për të mos u shkëputur më sërish. “Gjithmonë” është kënga që më së shumti identifikohet Luar,e cila vazhdon të dëgjohet ende sot. Kjo këngë në bashkëpunim me Flori Mumajesin është bërë një kolonë zanore e preferuar për shumë çifte. Ky ka qenë dhe momenti që Luar ka ‘rrëmbyer’ zemrën e publikut. Luar Arani vjen në këtë intervistë për gazetën ‘Standard’, për të na folur më shumë rreth projektit të saj më të ri muzikor, por jo vetëm.

Intervistoi: Irini Meçe

Riktheheni sërish në tregun muzikor shqiptar pas 5 vitesh. Normalisht na lind pyetja ku ka qenë Luar gjithë këto kohë dhe më çfarë është marr?

Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë me studime në Gjermani ku përfundova programin e Bachelor dhe Masterit, si dhe po aty jam marr me aktivitete të ndryshme muzikore dhe projekte të ndryshme internacionale.

Ka qenë kënga “Si dje” që ju ka rikthyer në tregun muzikor pas një periudhe shumë të gjatë shkëputje. Si ka lindur kjo këngë?

Si shumë  kompozime të tjera kjo këngë u krijua shumë spontanisht. Në orët e para të mëngjesit ku thjesht po këndoja këngën e zotit Alibali dhe po thoja në studio sa dëshirë kisha ta vendosja tek një nga këngët që e mia. Më pas çdo gjë rrodhi natyrshëm. Vija e re melodike dhe teksti u  krijua nga unë ndërsa muzika dhe beati u krijua nga Cricket me të cilin aktualisht po bashkëpunoj.

Një këngë që tekstin e kësaj kënge e keni shkruar ju vetë dhe flet për një dashuri të humbur. A është kjo një histori e juaja personale, apo dedikim?

Jo, ky tekst veçanërisht nuk është një dedikim kundrejt një personi të veçantë. Megjithatë shumica  ka përjetuar në një farë mënyre një dashuri të humbur dhe kjo i drejtohet më shumë pikërisht këtyre personave. Kujtimet mbeten, pak dhimbje mbetet mbase, por lumturia nuk humbet sepse jeta vazhdon.

Ju keni zbuluar se një strofë e këngës është marrë nga kënga e vjetër e Bashkim Alibalit. Pse kjo zgjedhje?

Siç e përshkrova dhe më sipër më ka pëlqyer gjithnjë kjo strofë që në kohën që prindërit e mi e dëgjonin dhe kam dashur gjithmonë ta rikthej nëpërmjet një kënge nga unë.

Luar pse keni vendosur që të shkëputeshit dhe të riktheheshit pikërisht tani?

Sepse tani kam mundësinë t’i përkushtohem plotësisht muzikës me të gjithë angazhimet që ka, ndërkohë që karriera akademike është plotësuar për momentin.

A ka ndryshuar Luar nga ajo çka ne jemi mësuar të shohim apo vazhdon ende të jetë ‘si dje’?

Një version më i pjekur dhe më me përvojë i “si dje”…

Publiku i gjerë më së shumti ju identifikon me këngën “Gjithmonë” në bashkëpunim me Flor Mumajesin, i cili ka shënuar një sukses të padiskutueshëm dhe vazhdon dëgjohet ende sot. Si ndiheni ju për këtë?

Jam shumë e lumtur që edhe sot e kësaj dite kënga “Gjithmonë” vazhdon të dëgjohet, si në versionin origjinal si nëpërmjet remix-it të Gon Hazirit. Është e vështirë të dish që në fillim që një këngë do ketë kaq shumë impakt tek publiku. Kur një këngë i reziston kohës është çdo gjë që unë mund të dua nga një projekt i imi.

Vazhdoni të ruani marrëdhënie me Florin dhe keni menduar që të realizoni një bashkëpunim tjetër me të?

Flori është pjesë e karrierës time muzikore dhe një kompozitor shumë i talentuar. Plus që e kam njohur që kur isha 11 vjeç, pra marrëdhënie të tilla i rezistojnë kohës. Për sa i përket bashkëpunimit nuk i dihet kurrë.

Kur ka qenë kontakti juaj i parë më Flori Mumajesin?

Kur unë isha 11 vjeç për të realizuar një këngë me motrën time më të vogël për Festivalin e Fëmijëve.

Tani që ju jeni rikthyer në tregun muzikor, a mund të bëni dot një krahasim, nëse ju keni hasur  ndonjë ndryshim nga momenti i parë që ju jeni futur në botën muzikore dhe nga tani?

Unë kam ndryshuar së pari në taktikat e mia, por dhe tregu normalisht ka evoluar përsa i përket cilësisë së audios, por për më tepër cilësisë së videove, ato kanë ndryshuar më së shumti.

Ju jeni larguar drejt Gjermanisë ku keni vazhduar studimet për Administrim Biznesi. Pse keni zgjedhur që të studioni për një drejtim tjetër?

Pianon e kam studiuar që në klasë të parë tek Liceu Artistik deri në klasë të tetë. Ky proces më ka ndihmuar shumë për sa i përket kompozimit të këngëve. Më pas kam qenë në një gjimnaz i cili nuk ka të bej me muzikën, dhe Administrim Biznesi gjeneral ka qenë gjithnjë dega që kam dashur të zgjedh pasi në Gjermani përgatitesh për 4 fusha të ndryshme njëkohësisht dhe kjo degë  më ndihmon jo vetëm në nivel akademik, por dhe personal ku tani e kam dhe më të lehtë të menaxhoj veten si dhe çdo marrëveshje në lidhje me muzikën.

Përtej angazhimit në muzikë, kohën e lirë që ju mbetet, si preferoni që ta kaloni?

Me miqtë e mi në kinema në ndonjë koncert ose Weichnatsmarkt “treg Krishtlindjesh”.  Ose duke kompozuar në piano.

Tanimë që jemi në fund të vitit 2017 dhe po ndihet atmosfera e festave. Si ka qenë 2017 për ju? Kujtimi më i bukur që do ruani nga ky vit?

-Kanë qenë dy: mbarimi i masterit, pra dita e diplomimit si dhe lancimi i këngës së re.

Po diçka që ka ngelur e parealizuar që po prisni të realizohet vitin që po vjen?

Këngët e reja që do lancohen dhe disa projekte muzikore që duhet ende të përfundohen.

Festat e fundvitit sjellin  një frymë të gëzueshme dhe shumë shprehje dëshirash. Ju çfarë dëshire do t’i kërkonit 2018 që t’ua realizonte?

Sekret. (buzëqesh)

Kur do të dëgjojmë sërish nga Luar tani?

Me shumë mundësi në Janar!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here