Pas milionave të blerjes dhe atyre të hedhura në merkato, afro 900 milionë euro total brenda 4-5 muajve, ëndrrat e tifozëve të Milanit kanë nisur të thyhen. Jonghong Li nuk duket manjati i shumëpërfolur i fosforit, ndërsa UEFA nuk beson te plani i një buxheti të shëndoshë të skuadrës, ndërsa ka ardhur edhe shkarkimi i trajnerit Montela.
Milani ka ngecur në vend papritur sepse edhe ardhja e Gatuzos në stol nuk ka dhënë impaktin e pritur: Benevento, ekipi i fundit në Serinë A, merr pikën e parë ndaj Milanit, ndërsa në Europë i mund Rijeka 2-0 në Kroaci. Por, më e keqja ende nuk ka ardhur… Pa kualifikimin dhe garancinë e milionave që garanton Champions-i, “Djalli” duhet të shesë në janar ose në verë dhe lojtari më i kërkuar është portieri Xhanluixhi Donaruma. 18-vjeçari është “diamanti” i Milanit, por duke parë rezultatet dhe aq më shumë situatën financiare në klub që mund të lëkundet tani e në vazhdim, menaxheri i tij, Mino Raiola, nuk kërkon të rrezikojë dhe po mendon ta transferojë te Reali i Madridit.
Në kontratën e rinovuar me kuqezinjtë, uebsajti investigativ “Dagospia” nënvizon se ka një klauzolë “Real Madrid”, nëse lojtar kërkon me çdo kusht spanjollët, por edhe një të dytë, e cila pa kualifikimin në Champions, vlera e tij bie nga 70 në 40 milionë euro. Rreth Donarumës nuk vërshojnë vetëm milionat e klubeve, por edhe ato të sponsorëve dhe Florentino Perez, bosi i Realit, e di mirë se me një si italiani, jo vetëm do të blindonte portën, por edhe do të thithte sponsorë për të shfrytëzuar të drejtat e imazhit të portierit.
Dhe për ta bërë realitet këtë blerje, Perez ka vënë në punë jo vetëm Raiolën, por për të lëvizur edhe më mirë ingranazhet, ka përfituar nga miqësia që ka me ish-administratorin e “Djallit”, Adriano Galiani, që bëjë rolin e ndërmjetësit në Itali. Fundja, vetë presidenti i madrilenëve, i ka ofruar një vend pune Galianit në klubin e tij dhe ndoshta kjo është “kontrata” e tyre e parë. Sipas “Dagospias”, vetë Adriano Galiani e ka pranuar me kënaqësi paktin me Perezin për të dërguar Donarumën te Reali i Madridit, edhe si formë hakmarrjeje që pronar- ët e rinj kinezë nuk besuan te ai dhe nuk i ofruan një post në strukturën e re të klubit.