Pistat për ekzekutimin e Ndokës, prokurorët zbardhin itinerarin para ekzekutimit

0
159

Grupi i hetimit ka zbardhur itinerarin e Aleksandër Ndokës, përpara se ai të qëllohej për vdekje me armë zjarri në qytetin e Lezhës, ku edhe jetonte me familjen.

I ndjeri, sipas prokurorëve, ka qëndruar në lokalin e tij derisa është mbyllur rreth orës 10:30. Siç kanë dëshmuar punonjësit e lokalit, të pyetur në polici, në mbyllje të aktivitetit ditor në lokal ai i ka përshëndetur dhe është larguar me makinën e tij, tip “Mitsubishi”.

Llogaritet se distanca nga lokali në shtëpi është një distancë fare pak minutëshe dhe siç tregon skena e krimit, autorët kanë qenë duke e pritur, kur viktima t’i afrohej banesës.

Aleksandër Ndoka, që është vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, u gjet i pajetë nga familja disa orë pas krimit.

Pavarësisht dyshimeve jo të pakta dhe pistave të shumta, grupi i hetimit nuk ka ende një pistë konkrete, pasi ka dyshime që krimi është kryer sipas një plani të menduar mirë.

Për profilin e Aleksandër Ndokës, prokurorët thonë se ai nuk ka asnjë precedent penal, ndërkohë që prej vitit 2015 ishte i angazhuar edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës.

Por, ndërsa zyrtarisht në lidhje krimin dihet se në vendngjarje u gjetën 14 gëzhoja automatiku, askush nga hetuesit nuk preferon të flasë për pistat.

Mes dyshimeve të shumta, hetuesit përfshijnë edhe konfliktet e të birit, Samuel Ndoka, gjatë zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, si dhe konflikteve familjare. Hetuesit nuk përjashtojnë gjithsesi edhe pista të tjera, për të cilat janë treguar të rezervuar për t’i bërë publike. /TCH/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here