Partia Demokratike festoi sot 27 vjetorin e themelimit të saj. Kjo ditë është festuar me një ceremoni të veçantë në Pallatin e Kongreseve, ndërsa figura të ndryshme të PD ndër vite kanë kujtuar në mënyra të ndryshme themelimin e saj.
Tritan Shehu, deputet i PD-së dhe ish-kryetar i kësaj partie, përmes një komenti në rrjetet sociale shkruan se 27 vite më parë jo thjesht u krijua një parti politike, lindi pluralizmi shqiptar, u hodhën bazat e demokracisë.
“Dhe kjo ndodhi mbas 45 vite diktature, duke i dhënë Shqipërisë vendin e saj në Familjen Europiane.
Të përkujtosh sot këtë ngjarje të madhe është jo thjesht të kthehesh pas, por edhe të shikosh përpara, për çfarë ka ngelur e duhet bërë më tej.
Fatkeqësisht veçanërisht sot konstaton se shumë duhet akoma për të permbushur e siguruar idealet e atij dhjetori.
Dhe kush tjetër përveç PD mund ta bëjë këtë?”, shkruan Tritan Shehu.