The Headhunter dhe UN Women vlerësojnë me çmime kompanitë për përfshirje dhe barazi në punësim
Ceremonia e dhënies së çmimeve për Indeksin LGBTIQ të Barazisë në Punësim, organizuar nga The Headhunter dhe UN Women u mbajt mbrëmjen e djeshme në Sarajevë. Dm-drogerie markt dhe British Council fituan çmimet Gold, Center for “Investigative Journalism” çmimin “Silver” dhe çmimi “Bronze” ju dha Klix.ba.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të organizatave vendase dhe të huaja, kompani private si dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Çmimet u dhanë nga David Saunders, përfaqësues i UN Women në Bosnje dhe Hercegovinë, Ambasadori i Britanisë – Edwards Ferguson, Ambasadori Gjerman – Christiane Hohmann si dhe CEO i grupit The Headhunter – Elton Ilirjani.
“Indeksi është përgatitur nga sektori privat, për sektorin privat. Ai vlerëson se në cfarë shkalle kompanitë dhe institucionet adresojnë diskriminimin dhe promovojnë barazinë në vendin e punës. Si një indeks për barazinë në vendin e punës, natyrisht që UN Women do kishte partneritet me një kompani të burimeve njerëzore për të mbështetur zbatimin e Indeksit” , u shpreh përfaqësuesi i UN Women në Bosnje dhe Hercegovinë, David Saunders.
Saunders shtoi: “Nuk kam asnjë dyshim që vitin tjetër do shihni kompani të reja që do i bashkohen Indeksit, dhe, ç’është më e rëndësishmja, besoj se do shohim hapa përmirësimi nga kompanitë për të promovuar barazi të vërtetë dhe për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e kandidatëve dhe punonjësve LGBTIQ.”
“Megjithëse grupi The Headhunter e ka implementuar me sukses Indeksin për disa vite rradhazi në rajon, është hera e parë që po e bëjmë këtë në Bosnje dhe Hercegovinë. Jemi shumë të kënaqur me suportin e partnerëve nga komuniteti ndërkombëtar të cilët kanë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje si dhe me kompanitë vendase dhe të huaja që kanë rënë dakort të marrin pjesë këtë vit. Do të thotë shumë për ne kur Kombet e Bashkuara, delegacioni i Bashkimit Europian apo ai Gjerman, Britanik, Japonez dhe përfaqësues të ambasadave të tjera na mbështesin publikisht. Qëllimi ynë është të dyfishojmë numrin e kompanive pjesëmarrëse vitin tjetër dhe të shohim zhvillime pozitive në praktikat e brendshme të kompanive me të cilat do të punojmë vitin e ardhshëm,” u shpreh CEO i grupit The Headhunter, Elton Ilirjani.
Indeksi i Barazisë LGBTIQ është projekt i grupit The Headhunter, i implementuar në Bosnje dhe Hercegovinë me zyrën e UN Women. Qëllimi i implementimit të Indeksit është të ndërgjegjësojë për diskriminimin që komuniteti LGBTIQ has në vendin e punës, si dhe të rrisë barazinë, diversitetin dhe praktika të tjera pozitive në lidhje me kandidatët dhe të punësuarit.