Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ka ngritur alarmin lidhur me sigurinë e ushqimit në Shqipëri, duke theksuar se rrokadat politike në institucionet e specializuara dhe hormonet mbi normat e BE-së, janë një rrezik i madh për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
“Mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore ka krijuar një faturë të shumëfishtë për qytetarët shqiptarë. Urgjencat nga helmimet kanë arritur në 18 mijë gjatë një viti në QSUT, teksa dieta ushqimore është shkaktare në masën 70% për nivelin e sëmundjeve në vendin tonë.
Në Shqipëri, ushqimet përmbajnë hormone të ndaluara në vendet e BE-së, si dhe kimikate të tjera të përdorura shpesh jashtë kritereve. Këto kimikate ndikojnë në sistemin imunitar të njeriut, në dëmtimin apo prishjen e rritjes së kontrolluar nga sistemi hormonal, në tjetërsimin e metabolizmit normal dhe të gjeneve përgjegjëse të rrugëve kryesore metabolike, duke pasur si pasojë sëmundje të ndryshme. Është e frikshme por funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë: obezitet, diabet, kancer, sëmundje kardiovaskulare dhe infertilitet.
Por (pa)siguria ushqimore nuk cënon vetëm shëndetin e shqiptarëve, por edhe ekonominë tonë. Fermerët shqiptarë penalizohen me të paktën njëqind milionë euro të munguara në një vit nga bllokimi i eksporteve të produkteve blegtorale dhe mijëra biznese do të duhet të përballen me falimentin, pasi nuk do të mund të ofrojnë siguri në standarde nëse hapen negociatat me Bashkimin Europian.
Përtej llafeve dhe lajleluleve të mazhorancës, çfarë po prodhon pasigurinë ushqimore janë rokadat politike të drejtuesve në institucioneve si AKU, mungesa e burimeve financiare, kapacitetet njerëzore (profesionistët në favor të militantëve) dhe korrupsion endemik” – ka thënë Duka.