Shpërblimi për mësuesit si një pjesë e ndjesës së mosmirënjohjes ndaj tyre

0
613

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në këtë fund viti, nisur nga përmbytjet “dëshira” e madhe për shtresat në nevojë, ushtarakë, pensionistë e shumë të tjerë, do të marrin një “shpërblim” bujar prej qeverisë sonë të bekuar. Ata që nuk figurojnë në listë janë mësuesit. Në fund të fundit unë vet e pranoj që mësuesit të mos ishin në listën e dëshirave të qeverisë për t’i shpërblyer, pale më të ishin në listën e Vendimit të Këshillit të Ministrave, në kategorinë që duhet të merrnin shpërblim.

Përse mësuesit nuk janë marrë në konsideratë tash e pesë vite me radhë për shpërblimin e fund vitit?

Përgjigja e parë që të vjen ndër mend është  se gjysmë mësuesi kryeministër, mësuesi i matematikës dhe i anglishtes kanë urrejtje patologjike për mësuesit. Ndoshta ngaqë vetë nuk kanë shkëlqyer në atë profesion, ndoshta ngase janë penduar që zgjodhën për t’u bërë mësues, pasi kishin lindur për t’u bërë lider të rëndësishëm të vendit, me shumë gjasa i bezdis dija dhe ata që përpiqen ta përcjellin dijen tek njerëzit e këtij vendi. Një arsye tjetër e dukshme, është se arsimi nuk përbën ndonjë prioritet. Përpara shesheve të rilindjes, “turizmit: të fuqishëm që do të zhvillohet, projektit fitimprurës 1 miliard dollarë investime, nga interesi për arsimin, investimet dhe kujdesit për të nuk është se nxjerr ndonjë fitim. Përkundrazi ke kokëçarje të shumta. Aq më tepër që mësuesit janë dele e perëndisë. I kanë futur në vathë e i shtrëngojnë aq shumë me urdhra, udhëzime e reforma, saqë nuk i shkon ndërmend për rrogën e 13-të. Për mësuesit u kujtuan për shembull, tani me rastin e përmbytjes. Me porosi nga lart dhe “dëshirë” nga poshtë mësuesit mblodhën lekë gjithandej. Nxënësve nga 2-5 mijë lekë (të vjetra), vetë mësuesit për shkak të pagesës së lartë që kanë dhanë nga 20 mijë lekë të vjetra dhe prindërit e klasave kujdestari, sipas “dëshirës” 10 mijë lekë të vjetra. Kjo ishte iniciativë “humane”, për të cilën mësuesi duhet të kishte kontributin e vet. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi një lëvizje surprizë pas datës 25, nga Kryeministri që e ka mendjen femër për këto punë. Kush mund të jetë kjo lëvizje? Një mbrëmje e “paharrueshme”, në Pallatin e Kongreseve me meze të ftohta, raki, verë e birrë si dhe video selfie e foto pafund, për “kënaqësinë” që i jep takimi me mësuesit (de facto shumica që ftohen janë drejtues shkollash e kopshtesh). Nuk e di sesa gjasa ka që kjo mbrëmje e kthyer në tradicion katërvjeçar, të jetë në agjendën e kryeministrit gjysmë mësues, por sipas traditës së viteve të kaluar ka shumë mundësi që të ndodhë.  Përtej këtyre fasadës mësuesit nuk kanë për të marrë as këtë vit asnjë kacidhe. Rritje rroge as që bëhet falë sepse nuk jemi në vit elektoral. Kontratën kolektive me kismet e kanë gati nga në shkurt mars 2018 me afat 31 maj 2021. Pra jemi në kushtet kurrë urrejtja e shtetit si kurrë më parë në këtë vend tani e 105 vjet i pavarur, është drejtuar ndaj mësuesve.

A mund të ishte shpërblimi monetar në fund të vitit hipotetik për mësuesit, si fillimi i ndjesës ndaj mosmirënjohjes për ta?

Nëse do të kishte ndodhur tani me fillimin e mandatit të dytë të Rilindjes, mbase kjo mund të merrej si një shenjë që qeveria më së fundi e kishte kuptuar se nuk mund të bëjë dot pa një arsim cilësor, pa mësues që respektohen, nderohen, paguhen mirë dhe shpërblehen siç e meritojnë për kontributin që kanë. Qeveria kishte mundësinë që përmes një simbolike të thjeshtë siç është shpërblimi i fund vitit të tregojë vëmendje ndaj shtresës më fisnike dhe në jetë të jetëve të respektuar prej shqiptarëve. Gjithashtu Kryeministri, kishte mundësinë të hiqte nga vetja, barrën që i është vënë si njeriu që urren më shumë mësuesit, pedagogët dhe shkencëtarët dhe gjithë kontribuuesit e vyer në fushën e edukimit, kulturës dhe letrave.

Pas shpërblimit, kishte mundësi të shpallej e përfunduar kontrata kolektive brenda 31 dhjetorit me një shtrirje kohorë katër vjeçare dhe me një klauzolë të qartë për shpërblimin e mësuesve si dhe mbrojtjen e tyre prej abuzivizmit të drejtuesve të dhunshëm në nivel njësie vendore arsimi si dhe ndër shkolla e kopshte. Po ashtu me kujdesin ndaj mësuesve qeveria, ministria e arsimit, financave e kujdesit social  e kështu me radhë, do të tregonin  një shenjë mirënjohje, ndaj atyre që i shkolluan dhe u dhanë shansin e madh që të jenë aty ku janë. Përpara se të falënderosh ushtarakët, rreshterët e kapitenët e ushtrisë, punonjësit e “palodhur” të bashkive, a nuk do të ishte më mirë, të nderoheshin mësuesit, si njerëzit që kanë rrënjosur virtytet më të mira qytetare dhe atdhetare, tek kategoritë e listuara për shpërblim? A është e mundur që vetëm shpërblimi financiar të jetë e vetmja rrugë për mirënjohjen ndaj mësuesve. Natyrisht që jo. Është vetëm një pjesë e vogël e saj. Një gjest që tregon se shteti shpërblen gjithnjë ata që e meritojnë dhe jo t’u bëj qokë për fushata, e interesa të ngushta, atyre që e kanë për detyrë të jenë në lartësinë sa herë që u kërkohet dhe që nuk është më shumë se 1 herë në vit. Është mundësia për të parë buzëqeshjen dhe vlerësim për ata që përpiqen gjatë 10 muajve e më shumë në vit, të na japin produktin më të rëndësishëm të shoqërisë që është qytetaria i devotshme, me vlera demokratike dhe i aftë për ta çuar zhvillimin e vendit në një shkallë më lart. Pra nuk kërkohet të bëhet një qokë, një detyrim fals, një show, për të kënaqur pesë njerëz e për të krijuar një ndarje klasore në shoqëri. Thjesht kërkohet të njihen kontributet e atyre që e meritojnë më shumë: Mësuesve, shtresës që i ka humbur shkëlqimi e është kthyer në nivelet më të mjeruara të saj në histori. Nuk kërkon njeri, ndere e favore të pamerituar, por atë çka e meriton me emrin dhe punën e tij si mësues.

Në fund të fundit, të gjithë qeveritarët e sotëm, e ata që e do të vijnë, shkencëtar a njerëz të thjeshtë, kanë kujtuar së paku nganjëherë mësuesin e tyre më të dashur. Po përse i gjithë ky injorim dhe indiferentizëm ndaj mësuesit? Përgjigjet edhe në këtë rast janë të shumta. Ajo që të vjen mend më së pari është frika nga dija dhe nga përballja me të vërtetën. Mësuesi nuk e duron dot pafytyrësinë, lajkat, maskarallëkun, imponimin, ndonëse në kushte të veçanta si këto sot edhe e pranon. Gjithsesi koha e ndjesës ka mbaruar dhe fusha është e lirë, për revoltën e ligjshme të mësuesve në emër të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur keqani tash e katër vjet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here