Nënkryetari i Parlamentit Edi Paloka i është përgjigjur deklaratave të Gramoz Ruçit, i cili ditën e sotme tha se, ngjarjet e ditës së hënë, nuk kanë ndodhur në 27 vite parlament.
Paloka i ka kujtuar Ruçit, se kur PS ka drejtuar parlamentin, në këtë sallë janë qëlluar deputetët e opozitës.
Përgjigja e Palokës për Ruçin:
Gramoz Ruci paska deklaruar se dhuna e ushtruar të hënën në Parlament, nuk ka precedentë në 27 vjet.
Në këto 27 vjet ka ndodhur që deputetë të opozitës janë vrarë dhe sulmuar fizikisht brenda parlamentit.
Por si asnjëherë në këto 27 vjet, kriminelët, vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash, u ngritën në piedestal si anëtarë të Parlamentit.
Si asnjëherë në këto 27 vjet, Garda e Republikës u përdor për të bllokuar foltoren e Parlamentit duke i hequr dhunshëm opozitës të drejtën e fjalës.
Të gjitha këto kanë dhe më shumë se kaq kanë ndodhur sa herë vendi dhe Parlamenti është drejtuar nga partia e Gramoz Ruçit.