Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka shkuar paraditen e kësaj të enjte në zyrën e kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Takim i Lu-së me Markun, vjen 3 ditë pasi kjo e fundit u vu në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, në një seancë ku nuk munguan përleshjet mes opozitës dhe mazhorancës. Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe ishte me dyer të mbyllura. Lu u pa të hynte në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme me bashkëpunëtorët e tij të ambasadës amerikane.
Një ditë më parë, ambasadori Lu takoi edhe kreun e PD-së Lulzim Basha si dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Në takimin që Lu pati me Bashën, lideri i opozitës ka qenë i prerë se nuk do të pranohet zgjedhje e kryeprokurores, pasi sipas, është bërë në shkelje të hapur me Kushtetutën.
Ndërsa, Kryemadhi i ka kërkuar ambasadorit amerikan një gjykim më objektiv lidhur me situatën e tanishme, duke denoncuar edhe dhunën e ndodhur ditën e hënë, ku gjatë protestës një deputetet e LSI-së mbeti e gjakosur.
Kujtojmë se dy muaj më parë, Donald Lu është shprehur se në Janar priten arrestime të peshqve të mëdhenj. Nuk përjashtohet që kjo të ketë qenë një nga temat e takimit me dyer të mbyllyra mes ambasadorit dhe kryeprokurores së përkohshme, që sipas burimeve mbështetet nga diplomati.