Ish-Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, e ka cilësuar një skandal të diplomacisë shqiptare votimin e sotëm të rezolutës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara kundër vendimit SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Në një lidhje telefonike për Ora News, Nesho tha: “Ne kemi votuar gabimisht kundër SHBA në një rezolutë që nuk është detyruese dhe nuk ka fuqinë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Një rezolutë e tillë u hodh poshtë të hënën e paraqitur nga Egjipti dhe përkrahur nga shtetet e tjera. Kjo është një miopi, një qëndrim më tej se naiv dhe amatoresk i Shqipërisë ndërkohë që kjo është kërkuar si rezolutë politike.Ndërkohë që SHBA ka thënë se do të shikojnë qëndrimin e çdo shteti. Kemi mbajtur një qëndrim kundër SHBA dhe Presidentit Trump në favor të interesave, shtyrjes që mund të kenë bërë vende të tjera që kanë paraqitur rezolutën si Turqia, kjo tregon një nga skandalet e diplomacisë shqiptare”.
Ish-diplomati shqiptar problemin më të madh në këtë drejtim e sheh tek ndikimet që mund të ketë tek çështja e Kosovës.
Nesho: Kryesorja është që një veprim i tillë mund të kenë konseguenca për çështjen tonë kombëtare dhe njohjen e Republikës së Kosovës.Elementi kyç në procesin e njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës është një dhe vetëm një, forca dhe shtytja e SHBA. SHBA me deklarata direkte të Presidentit Trump dje dhe disa herë të Ambasadores amerikane që e përsëriti gjatë zhvillimit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme që tha se ky është një qëndrim që pasqyron politikën e SHBA dhe nuk ndërhyn direkt në çështjet e kufijve, sovranitetit dhe probleme të tjera të Lindjes së Mesme, të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës që do të zgjidhen nëpërmjet dy palëve dhe zgjidhjes që dy palët do i japin konfliktit të tyre.