Paris Saint Germain e ka marrë seriozisht idenë e gjetjes së një trajneri të ri për sezonin e ardhshëm.
Tashmë, Unai Emery nuk e ka aspak vendin të sigurt në pankinën e klubit parizien dhe vetëm fitorja e mundshme e Ligës së Kampioneve mund ta shpëtojë. Në këtë moment transalpinët kanë përgatitur një listë me 7 trajnerët kandidatë për të marrë vendin e teknikut spanjoll.
Diego Simeone është një prej të preferuarve të drejtuesve të PSG. Këta të fundit mendojnë se argjentinasi i Atletico Madrid është personi ideal për të krijuar një projekt të ri afatgjatë. Problemi qëndron te vetë Simeone, i cili duket se ka ende dëshirë të vazhdojë punën te madrilenët.
Kandidatura e dytë është ajo e Luis Enrique. Asturiani, pas largimit nga Barcelona, nuk ka marrë asnjë skuadër tjetër në drejtim dhe sipas medias franceze, Al Khelaifi ka nisur të bëjë lëvizjet e tij për të nisur bisedimet me Luis Enriquen.
Jose Mourinho është një tjetër emër i shkruar në listën e dëshirave të PSG. Portugezi dhe drejtuesit e klubit kanë raporte të mira dhe Mourinho asnjëherë nuk e ka fshehur admirimin e tij për Parisin.
Listës së kandidaturave për stolin e transalpinëve i shtohet emri i Antonio Contes. Rezultatet jo shumë të mira në këtë sezon dhe komunikimi i pakët me lojtarët ka bërë që të hidhen hipoteza për largimin e italianit nga londinezët, me PSG që është vigjilent ndaj kësaj situate, edhe pse Conte e mendon edhe rikthimin te kombëtarja italiane.
Mes trajnerëve që shihen si pasues të mundshëm të Emery te PSG janë edhe Villas-Boas, Mauricio Pochettino dhe Carlo Ancelotti.