Atentati, si i pikasi Ardian Çapja autorët dhe u shpëtoi sërish plumbave

0
162

Atentati ndaj Ardian Çapjes ka qenë i mirëorganizuar nga autorët që e qëlluan me kallashnikov, pasi e kanë mbajtur 49­ vjeçarin në survejim prej disa ditësh. Por ata dështuan në planin për atentatin pasi u diktuan në kohë nga shënjestra.

Burime konfidenciale nga grupi hetimor në Policinë e Elbasanit, që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të ndodhur të shtunën e kaluar, bëjnë të ditur se autorët e dinin me saktësi orën se kur Çapja dilte nga shtëpia. Autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar, për të shmangur çdo dyshim, kishin modifikuar automjetin e përdorur prej tyre në mënyrë identike me atë të një prej fqinjëve të fisit Çapja, duke përdorur dhe targa të falsifikuara me numra të njëjtë. Pasi e kanë mbajtur nën vëzhgim për disa ditë, autorët kanë ndërhyrë në momentin kur Ardian Çapja po dilte nga banesa e tij. Ata kanë qëlluar nga një distancë e largët në momentin kur 49­ vjeçari ka qenë pranë derës. Kur ka dëgjuar të shtënat, menjëherë ai është futur brenda duke u shpëtuar plumbave.

Nga rindërtimi i ngjarjes, sipas grupit hetimor, Çapja i ka pikasur autorët dhe kjo ka bërë që këta të fundit të qëllojnë nga një distancë e largët. Ky është atentati i dytë që i bëhet Ardian Çapjes, pasi më parë është tentuar eliminimi i tij fizik përmes predhës, por që nuk arriti të shpërthente, ngjarje kjo e ndodhur më 6 gusht 2017.

Policia po heton mbi mundësinë e përfshirjes së automjetit të vjedhur në Tiranë në atentatin e ndodhur ndaj familjes Çapja, ndërkohë që deri tani ende nuk ka asnjë indikacion. Pavarësisht kësaj, Policia ka dyshime se makina mund të jetë vjedhur për t’u përdorur në ngjarje kriminale dhe për këtë arsye nuk përjashtohet pista që djegia e saj mund të jetë bërë edhe nga autorët e atentatit ndaj Ardian Çapjes, shkruan Panorama.

Ende nuk ka asnjë pistë konkrete për atentatin ndaj familjes Çapja, por më kryesorja lidhet me konfliktet e vjetra të fisit.

Më 3 shkurt 2016 u vranë tre pjesëtarë të kësaj familjeje, kurse Florenc Çapja i shpëtoi një atentati të ndodhur në qershor 2016, ku mbeti i plagosur shoku i tij, Bledar Muça, me të cilin po udhëtonte në një makinë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here