Vangelia Pandeva Dimitrova, (31 janar 1911 – 11 gusht 1996), e njohur si Gjyshja Vanga, ishte një femër e pashkolluar, e verbër, e cila thuajse tërë jetën e saj e kishte kaluar në malet e Bullgarisë. Shumë njerëz, anë e kënd botës, janë të bindur edhe sot e kësaj dite se ajo ka pasur aftësi paranormale.
Baba Vanga, e njohur në mbarë botën pasi thuhet se parashikoi sulmet e 11 Shtatorit, Brexit e disa ngjarje të tjera të rëndësishme, besohet se ka parashikuar gjithashtu 2 ngjarje të rëndësishme në 2018-ën.
E njohur ndryshe edhe si “Nostradamus nga Ballkani”, ‘profetja’ nga Bullgaria e cila vdiq në moshën 85-vjeçare pretendonte se kishte fuqi mbinatyrore dhe mund të shihte të ardhmen.
Por çfarë ka parashikuar ajo për vitin 2018?
Sipas një shkrimi të botuar nga e përditshmja britanike “DailyMail”, Baba Vanga ka parashikuar që në 2018-ën Kina do të lerë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të bëhet “superfuqia” e radhës e botës.
Ajo gjithashtu ka deklaruar se “një formë e re energjie” do të zbulohet në Venus.
Ata që besojnë tek parashikimet e kësaj gruaje thonë se Baba Vanga mund të ketë të drejtë, të paktën në një prej rasteve.
Në 1970-n, Kina prodhonte vetëm 4.1 përqind të ekonomisë totale botërore. Kjo shifër pa një rritje të jashtëzakonshme me 15.6 përqind në 2015-ën dhe kontributi vijon të rritet.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kontribuojnë 16.7 përqind në ekonominë globale, shifër që pritet të bjerë më 14.9 përqind në 2025-ën, sipas Forbes.
Sa i përket parashikimit tjetër, aktualisht nuk ka plane për të dërguar misione në Venus, që do të thotë se zbulimi i një burimi të ri energjie vitin që vjen, ka pak gjasë të ndodhë.
Një sondë pritet që të lëshohet në hapësirë përgjatë 2018-s megjithatë ajo nuk do të ulet në Venus, por do të përdorë sistemin e saj gravitacional për të kaluar rreth diellit dhe për të studiuar yjet.
Baba Vanga thuhet se ka parashikuar Brexit, duke thënë se Europa që njohim, nuk do të jetë me e tillë në fund të 2016-ës. Ajo parashikoi edhe një ushtri ekstremiste që do të pushtonte Europën, që shumë e lidhin me Shtetin Islamik dhe shtrirjen e tij në Siri e Irak.
Ndër ngjarjet e parashikuara prej saj në të ardhmen janë uria globale në 2028-n, kolonitë e Marsit që do të blejnë armë bërthamore në 2256 dhe Tokën të pabanueshme në 2341.