Kriza e re në rafinerinë e Ballshit rikthen mjerimin në qytezën e naftëtarëve [Video]

0
157
Një protestë e pak ditëve më parë e qindra punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh riktheu vëmendjen te varfëria e tejskajshme në qytezën që u ndërtua dhe ekziston vetëm falë rafinerisë, e cila ka hyrë në një cikël të pafund krizash që kur u privatizua gati një dekadë më parë.


Me thirrjet, “Duam punë! Duam bukë! Duam lekët tona!”, disa qindra punëtorë dhe familjarë të tyre dolën në protesta në qytetin e Ballshit dhe në Fier. Kjo është e disata herë që punonjësit e industrisë së përpunimit të naftës në vend përpiqen të tërheqin vëmendjen për mungesën e rrogave dhe zinxhirin e borxheve që kjo mungesë shkakton te tregtarët e paktë të qytetit dhe furnizuesit e tyre.

Të martën, naftëtarët dolën në një protestë tjetër me të njëjtën kërkesë. Ndërsa nata e vitit të ri po afron, varfëria e shkaktuar nga mungesa e pagave dominon në jetën e tyre. Një drejtues i kompanisë IRTC tha për BIRN se shkaku i mosdhënies së rrogave është mungesa e naftës bruto, e cila ka sjellë mbylljen e rafinerisë. Sipas zyrtarit, Bankers ka njoftuar se nuk do të furnizojë me naftë bruto rafinerinë as në muajt janar e shkurt, gjë që sugjeron se problemet e naftëtarëve me paga do të vijojnë. Por një zyrtar i Bankers i tha BIRN se kjo kompani nuk mund të furnizojë naftë te rafineria pa marrë pagesat.

Ndërkohë naftëtarët dhe i gjithë qyteti i Ballshit kanë mbetur efektivisht pa para.

“Kërkojmë pagën njëherë, kryesore, se duam të hamë bukë,” tha për BIRN Elida Bare, një prej punonjëseve të rafinerisë së Fierit, e cila bashkë me dhjetëra punëtorë të tjerë protestuan mëngjesin e të premtes. Kjo ishte hera e katërt radhazi që ata kërkuan shlyerjen e pagave të prapambetura dhe fillimin e punës. ” E dua nëntorin se nuk bën ore! Duam sigurimet, ne s’po marrim as status asgjë. Edhe të fillohet puna urgjentisht se duhet të punojnë të gjithë këta, se do hyjmë me forcë në uzinë”, shtoi ajo.

Të dy rafineritë e vendit, ajo e Ballshit dhe ajo e Fierit, përbënin një ndërmarrje fitimprurëse të shtetit shqiptar deri në vitin 2008, e aftë për të mbuluar deri në 25% të konsumit vendës të nënprodukteve të naftës. Rafineritë hynë në kriza të përsëritura pas privatizimit në vitin 2008.

Një investigim i vitit 2016 nga BIRN zbuloi se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindramilionë dollarë ndërkohë që institucionet e shtetit qëndronin pasivë përballë borxheve në rritje.

Në shtator 2016, qeveria aktuale bekoi në një ceremoni të veçantë atë që e shpallën si një marrëveshje private me një grup biznesmenësh për të rivënë në punë rafineritë. BIRN zbuloi më pas se shteti shqiptar lejoi shitjen e paligjshme të ARMO-s te Banka Credins, e cila më pas ia dha në përdorim kompanisë IRTC.

Por pavarësisht lavdeve të zyrtarëve të lartë të qeverisë, kompania e re filloi menjëherë të akumulojë borxhe të reja ndërsa punëtorët vijuan të mos marrim pagat në kohë.

Qyteza e naftës

Listat e borxheve në Ballsh | Foto nga : Edmond Hoxha

Për të mbërritur në qytetin e Ballshit, duhet të udhëtosh në rrugën e “vjetër” nacionale Fier-Gjirokastër. Vetëm 26 kilometra ndajnë qytetin e Fierit nga Ballshi, por rruga e vjetër që gjarpëron në zonën kodrinore të Mallakastrës është lënë pa mirëmbajtje prej shumë vitesh dhe është në gjendje të mjerë. Ballshi mbeti një cep jashtë rrugëve kombëtare që nga viti 2012, kur u ndërtua rruga e re Levan-Tepelenë, një alternativë më e shkurtër dhe më e drejtë përgjatë luginës së Vjosës që zëvendësoi rrugën e vjetër. Aktualisht të 26 kilometrat nga Fieri në Ballsh kërkojnë rreth 40 minuta udhëtim të vështirë në rrugën e mbushur me gropa.

Banorët detyrohen të presin me orë të tëra për të udhëtuar drejt Fierit në një stacion të improvizuar furgonësh, të cilët nisen vetëm kur të mbushen, gjë që ndodh shumë rrallë tashmë që banorët janë të lodhur financiarisht nga vite të tëra rrogash të pamarra.

Dhe pavarësisht vështirësive, të 1 mijë vendet e punës në rafinerinë e Ballshit janë i vetmi burim jetese për qytetin që numëronte 7,600 banorë në censusin e vitit 2011. Kriza e fundit nisi në nëntor të këtij viti, kur rafineria pushoi së punuari dhe punëtorët nuk morën pagat.

Vladimir Caushaj, i cili ka një dyqan me mallra të përzjerë në qytetin e Ballshit, thotë se mungesa e pagave të nëntorit u pasqyrua menjëherë në xhiron e dyqanit të tij.

“Ne jemi në një prag festash, si të Krishtlindjeve ashtu edhe të Vitit të Ri. Situata është shumë e keqe. Në sirtarin tim, tani po shënon ora 3 pasdite, ndodhen 24 mijë lekë të vjetra,” tha ai. “Punojmë me lista, kemi lista pambarim”, shtoi ai duke iu referuar fletoreve ku tregtarët mbajnë shënim emrat e njerëzve që blejnë mallra pa paguar dhe rrjedhimisht hyjnë në borxhe te dyqanet. “Po nuk u vu uzina në punë këtu do të bëhet shumë keq. Ky vend mund të jetë pa shpresë, pa jetë.”

“Në uzinë ka rreth 1000 punonjës dhe janë rreth 5000 frymë që ushqehen nga ajo uzinë,” tha një tregtar tjetër që nuk pranoi të identifikohej. “Një klient ka rreth 300 mijë lekë borxh për rreth një muaj e gjysmë. Thotë, ‘kur të marr rrogën, do marrësh lekët’. Po nuk i mori ai, unë këto lekë i kam të humbura. Në këto kushte nuk kam lekë më që të marr mall”, shtoi ai.

“Situata është ajo që ka qenë. Nuk na është dhënë paga e Nëntorit dhe nuk ka rinisur ende puna. Ne i kemi nisur protestat pasi nuk na kanë dhënë asnjë zgjidhje,” komentoi Kamber Iljazi, kryetar i sindikatës së naftëtarëve, i cili kërkoi gjithashtu që shteti shqiptar të ndërhyjë për të rimarrë  kontrollin e kompanisë për të kryer riorganizimin e saj dhe rivënien në punë.

Një prej drejtuesve të kompanisë Ionian Refining and Trading Company tha për BIRN në kushtet e anonimatit se kompania është aktualisht në krizë për shkak se nuk ka arritur të sigurojë naftë bruto nga prodhuesi kryesor i naftës bruto në Shqipëri, Bankers Petroleum.

Ai bëri apel që shteti të ndërhyjë me qëllim që nafta që prodhohet në vendburimet tona, të mos ekspertohet, por të përpunohet në Shqipëri. “Shteti të ndërhyjë që nafta të rrijë në Shqipëri. Bankers-i na ka komunikuar se në Janar dhe në Shkurt nuk do të na furnizojë me naftë. Për këtë situatë kemi njoftuar edhe instancat përkatëse ku u kemi sqaruar se kompania e ka të pamundur të vazhdojë pasi edhe gjatë kësaj periudhe kemi punuar me kapacitet minimal dhe kemi dalë me humbje. Duhet ndërhyrje urgjente nga qeveria”, theksoi drejtuesi i IRTC.“Ne kemi nisur punën në Korrik të vitit 2016 dhe IRTC ka paguar rregullisht rrogat e sigurimet si edhe kemi investuar në përmirësimin e teknologjisë. Por, problemi i madh me të cilin jemi përballur ka qenë furnizimi me naftë. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar me 30% të kapacitetit, gjë e cila e ka çuar kompaninë në vështirësi financiare. Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës mund të përpunojë 90 mijë tonë në muaj, por gjatë kësaj periudhe, kompania Banker’s ka ofruar rreth 25 mijë tonë çdo muaj,” tha ai, duke shtuar se Bankers.

Në zyrtar i Bankers Petroleum i tha BIRN se problemi i kompanisë është se nuk mund të ofrojë naftë pa marrë pagesat.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila është përfaqësuesja e shtetit shqiptar për pronësinë e paketës minoritare të aksioneve, nuk iu përgjigj kërkesës me email për komente.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here