Kur Antiinformalitet 3 është në zbatim e sipër biznesi i është përgjigjur një ankete lidhur me shkakqet që e kanë nxitur aktivitetin e parregulluar ligjor në sektorin e tyre respektiv. Të renditura njëra pas tjetrës biznesi konsideron se nga zbatimi i procedurave tatimore tek fragmentarizmi i sistemit apo cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal, të gjitha janë shkak për lulëzimin e informalitetit.
Anketa e Këshillit të Investimeve mbi vrojtimin e administratës publike dhe informalitetin nënvizon edhe këtë aspekt.
“Faktori fiskal më i rëndësishëm që mund të nxisë informalitetin tek bizneset ka qenë një pyetje me alternativa drejtuar bizneseve në vrojtim. Faktorët që krijojnë hapësira për informalitet dhe të vlerësuar si më të rëndësishmit nga biznesi janë: i) zbatimi i procedurave tatimore; ii) kapacitetet e administratës tatimore, dhe iii) pragu i TVSh, dhe d) pragu i tatim fitimit. Nëse i konsiderojmë si shumatore dy të fundit në një faktor të vetëm, fragmentizimi i sistemit tatimor del si shkaku i parë më i rëndësishëm i sjellë nga bizneset. Duhet theksuar se bizneset e përgjigjura në këtë vrojtim janë në shumicë mbi 8 milion lekë xhiro vjetore dhe kryesisht nga sektori i shërbimeve dhe tregtisë” thuhet në raportin e Këshillit të Investimeve.
Por ndërsa në përgjigjet e para biznesi është kufizuar brenda varianteve që mund të përzgjidhte, në një seksion më vetë pa kufizime, mes shkaqeve për informalitetin janë renditur edhe korrupsioni, ndikimi politik.
“Mbi shkaqet që nxisin informalitetin në sektorin ku operojnë një larmishmëri përgjigjesh kanë ardhur nëpërmjet vrojtimit. Sekretariati ka bërë një grupim të tyre sipas disa shtyllave që përgjithësojnë deri diku komentet e marra, që janë i) korrupsioni dhe ndikimi politik i bizneseve; ii) kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore; iii) cilësia dhe qëndrueshmëria e legjislacionit fiskal; iv) konkurrenca e pandershme; v) fragmentizimi i sistemit tatimor; vi) taksat e larta; vii) niveli i ulët ekonomik. Numri më i madh i takon korrupsionit dhe ndikimit politik, pasuar nga kapacitetet e administratës tatimore dhe doganore si dhe legjislacioni fiskal” thuhet në raport.
Përtej këtyre arsyeve biznesi nuk ka harruar të përfshijë edhe veten ku kultura e ulët fiskale e bizneseve është cilësuar gjithashtu si një shkak për të devijuar nga kuadri ligjor.
Si mund të ulet informaliteti
Këshilli i Invesitmeve në një shtojcë më vete ka bërë edhe porpozimet e tij për uljen e informalitetit ku një ndër sugjerimet që bie në sy është ajo e rimbursimit nga 5-10 për qind të vlerës së kuponit tatimor për konsumatorët.
Rritja e bonuseve për doganierët nëse rrisin zhdoganimet e rregullta, kështu pjesën që marin nën dorë do e marrin zyrtarisht bonus nga shteti.
Kërkesë të origjinës së produkteve në subjektet e tregtimit përfundimtar të produktit.
Ideja që një biznes qe plotëson kriteret të certifikohet me një pullë dhe kështu inspektorët nuk mund të vijnë e të bëjnë presion cdo javë.
– Menyra me e mire per te luftuar informalitetin eshte te kontrollohen dhe gjobiten qytetaret apo bizneset qe nuk pranojne t’u japesh fature me TVSH.
– Mundësi sistemimi detyrimesh tatimore pa efekte të menjëhereshme penalitetesh nga kontrollet tatimore.
– Ndërgjegjësim i publikut. Të merren incentiva që për cdo kupon tatimor do të rimbursohet 5 – 6 – 10 %.
– Te gjitha subjektet qe prodhojne, shesin apo kane aktivitet ne fushen e Agrobiznesit te jene te pajisur me licensat perkatese dhe te jene objekt i monitorimeve sipas ligjit me qellim qe te te jene te gjithe te barabarte. Kjo sidomos eshte e theksuar neper rrethe.
– Administrata tatimore të organizojë takime të vecanta sipas sektorëve, ku ti drejtojnë drejt formalizimit
– Nje administrate tatimore te pregatitur, le shume per te deshiruar niveli i militantizmit ne administraten tatimore, te rinj e te vjeter nuk ka rendesi, thjesht perzgjedhja eshte me shume me baza lidhjesh partiake se sa me specializime profesionale. Të rinj sapo të diplomuar ose me max 1-2 vjet eksperience pune nuk mund të jenë kurrë pjesë e departamentit të kontrollit tatimor që shkojnë dhe kontrollojnë profesionistë që kanë vite në këtë fushë.
– Shërbimi për tatim paguesin më i hapur dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me profesionalistët, të ndihmojnë subjektet që të raportojnë siç duhet detyrimet tatimore.
– Informacioni sa më i aksesueshëm. Ligjet të dalin përpara se të zbatohen bashkë edhe me udhëzimet përkatëse dhe të mos ketë shumë ndryshime të ligjeve./monitor/