Qytezat amerikane kanë nisur një përpjekje për rivitalizim.
Në përpjekje për të shëndoshur komunitetet anemike, ata po nxisin njerëzit që të vendosen aty.
Sipas Daily Mail, disa qyteza japin fonde falas, të tjera shlyejnë kreditë studentore, por ka prej atyre që dhurojnë edhe tokë falas.
Fondet që ofrohen për njerëzit që vendosin të banojnë aty, shkojnë deri në 80 mijë dollarë.
Sipas USA Today, Amerika rurale përbën 75 për qind të vendit, por vetëm 16 për qind të popullsisë, niveli më i ulët në histori.
Shifrat tregojnë se 54 për qind e popullsisë në vitin 1910 jetonte në komunitete rurale. Në vitin 2010 kjo shifër zbriti në 19 për qind.
Akademikët thonë se fenomeni është i komplikuar, por kryesisht zbrazja e zonave rurale ka ardhur për shkak të zhvillimit teknologjik dhe konsolidimit të industrisë agrokulturore.
Po ashtu bota e globalizuar ka bërë që opsionet për ata që jetojnë në zonat rurale të jenë gjithmonë e më të pakta.