Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ndalimin e disa shtetasve në pikat e kalimit kufitar me pretendimin se janë persona të shpallur në kërkim, pasi kanë marrë pjesë në protestën e opozitës më 18 dhjetor. Policia sqaron se pas protestës së 18 dhjetorit janë shpallur në kërkim një numër personash me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë. Zyrtarisht policia nuk jep të dhëna mbi numrin e personave që ka shpallur në kërkim dhe pse ato nuk njoftohen, por ndalohen në pikat e kalimit kufitar, sikundër ka ndodhur në 48 orët e fundit.
Sqarimi i Policisë së Shtetit
Lidhur me deklarimet e përfaqësuesve të disa subjekteve politike, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim policor ditët e fundit, Policia e Shtetit sqaron se:
Mbi bazën e referimit në Prokurorinë e Tiranës të datës 19.12.2017, për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë të planizuar në shërbim në sigurimin e protestës së opozitës zhvilluar në datë 18 dhjetor, përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë janë shpallur në kërkim një numër personash për “Kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, parashikuar nga neni 236/22, i Kodit Penal.
Mbi këtë bazë, sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t’i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen.
Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor.
Hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Policia e Shtetit garanton të drejten e protestes, por nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjit.