Pronar i një lokali në Danimarkë ka deklaruar se i është grabitur një shishe e veçantë e vodke ruse, e cila kishte vlerë 1.3 milionë dollarë. Policia në Kopenhagën ka konfirmuar se më 3 janar, një grabitës ka hyrë në lokalin, Café 33 dhe ka vjedhur një nga shishet e koleksionit.
Shishja përbëhej nga tre kilogramë ar dhe tre të tjerë argjend.
“Atë shishe e kam siguruar nga fabrika Dartz, e cila krijon veturat dhe vodkat më të shtrenjta. Ajo ka qenë pjesë e koleksionit tim për gjashtë muaj, por tani jo më”, – ka thënë pronari, Brian Ingberg.
“Natyrisht jam shumë i shqetësuar. Ajo ka qenë qershia mbi tortë në koleksionin tim. Nga 1 200 shishet që posedoj, ajo ka qenë shumë e veçantë për mua”, – ka thënë Ingberg. Shishja ka fituar vëmendje pasi është shfaqur në serinë televizive amerikane “House of Cards”.