Një sherr në një lokal ka përfunduar me vdekjen e një 61-vjeçari dhe plagosjen e katër të tjerëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytezën Sparta të Greqisë.
Sipas mediave greke, dy shtetas nga Gjeorgjia të moshave 33 dhe 38 vjeç u konfliktuan me katër persona të tjerë në një lokal nate. Të plagosurit janë 46, 54, 57 dhe 61 vjeç. Ky i fundit besohet se ishte pronari i lokalit të natës. Fatkeqësisht ai ndërroi jetë në spital pasi kishte pësuar dëmtime serioze.
Nga përleshjet mes burrave, e plagosur në lokal mbeti edhe një grua shqiptare. Zyrtarisht policia greke thotë se shqiptarja është e moshës 32-vjeçare, e cila u dërgua në spital për mjekim. Identiteti i saj nuk është bërë publik. Dy autorët gjeorgjianë u arrestuan disa orë më vonë pasi ishin larguar nga lokali i natës.
Sipas dëshmitarëve, sherri nisi brenda lokalit dhe vazhdoi në hyrjen kryesore. Autorët dhunuan keq katër personat, duke i goditur me sende të forta. Ndërsa gruaja shqiptare mbeti e plagosur aksidentalisht. Shkaqet e konfrontimit fizik janë ende të paqarta.