Të gjitha shtetet ndalin investimet e huaja në Shqipëri, përveç Zvicrës (efekti TAP)

0
228

Nga shtetet, ku merrnim investimet tradicionale, si Greqia, investimet janë në rënie, nga Gjermania po ashtu me tkurrje, Kanadaja e ka rritjen minimale, Holanda, Italia dhe Greqia po ashtu.

Sipas statistikave për investimet sipas shteteve, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja për periudhën korrik-shtator 2017 u rrit me 251 milionë euro në krahasim me tremujorin e mëparshëm, nga e cila 179 milionë euro, ose 71% e totalit të rritjes kanë ardhur vetëm nga një shtet, nga Zvicra, nga i cili raportohen investimet që po bëhen për ndërtimin e projektit të gazsjellësit TAP.

25 milionë euro është shtesa e investimeve nga Turqia, 20 milionë euro nga Italia, 16 milionë euro nga Kanadaja dhe 14 milionë euro nga Holanda. Me kaq lista mbaron. Shtetet e tjera kanë investuar zero në Shqipëri, ose maksimumi në 6 milionë euro (si p.sh. Austria) në tremujorin e tretë të 2017, apo dhe e kanë ulur stokun e investimeve të tyre në Shqipëri, si Greqia (-16 mln euro) dhe Gjermania (-4 mln euro).

Greqia, për herë të parë stoku vjen me ulje

Greqia është shteti nga i cili në vite ka ardhur stoku më i madh i investimeve të huaja (kryesisht telekomunikacione), që në fund të tremujorit të tretë arriti në 1.26 miliardë euro, ose 20% e totalit të stokut të investuar në Shqipëri pas viteve 1990. Por, për herë të parë investimet nga Greqia rezultojnë në rënie (-16 milionë euro), teksa sektori i telekomunikacioneve (Vodafone dhe Telecom Albania janë më kapital grek) është në rënie.

Kanadaja është shteti që renditet i dyti sa i përket stokut të investimeve direkte, me 826 milionë euro në total (rritje minimale prej 16 milionë euro në tremujorin e tretë), si rrjedhojë e aktivitetit të Bankers Petroleum, që megjithëse është shitur te kinezët e Geo Gade raportohet sërish si investim kanadez.

Në vend të tretë është ngjitur Zvicra, stoku i investimeve nga i cili është 10-fishuar në krahasim me vitin 2014, duke arritur në 826 milionë euro në fund të tremujorit të tretë 2017, si rrjedhojë e aktivitetit të gazsjellësit TAP.

Holanda është e katërta, po me 826 milionë euro, ku rolin kryesor e ka kompania Statcraft, që po ndërton HEC-in e Devollit, që ndonëse tashmë është 100% në pronësi norvegjeze, regjistrohet ende si investim holandez. Gjithsesi, ky investim po shkon drejt fundit, teksa shtesa në tremujorin e tretë ishte vetëm 14 milionë euro.

Më pas, sipas stokut, renditen Italia, Turqia, Austria, Qipro (shih grafikun).

Gjeografia e kufizuar shteteve nga po na vijnë investimet vitin e fundit tregon se sa e varur është Shqipëria nga projektet e mëdha, që ndodhin vetëm një herë dhe më pas efekti i tyre mbaron, por ngre njëkohësisht dhe dilemën se çfarë do të ndodhe me investimet e huaja pas përfundimit të TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll, teksa nuk po shihen investitorë të tjerë në horizont, madje po ikin dhe ata që janë (rasti i Sheraton që nga 1 janari u largua nga Shqipëria).

Nëse nuk do të kishte qenë projekti TAP, investimet e huaja në tremujorin e tretë do të ishin vetëm 68 milionë euro, ndërsa nëse hiqet edhe Devolli, zbresin në 54 milionë euro.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here