Treten 100 milionë dollarë. Mosrealizimi arrin 18%

0
200

Qeveria ka krijuar një gropë prej 100 milionë dollarësh me investimet publike. Të dhënat zyrtare nga vetë Ministria e Financave tregojnë se mosrealizimi i investimeve publike për periudhën Janar-nëntor 2017 arriti në 11.2 miliardë lekë ose rreth 100 milionë dollarë duke shënuar një rekord negative të paprecedentë.

Sipas të dhënave, për 11 mujorin plani i investimeve publike në buxhetin e shtetit ishte parashikuar 62.5 miliardë lekë. Por faktikisht janë realizuar vetëm 51.3 miliardë lekë ose 18 për qind më pak.

Nëse llogariten dhe pagesat për koncesionet, të cilat qeveria i klasifikon si investime publike, atëherë invetimet e buxhetit kanë rënë në nivelet më të ulëta historike.

Treguesit faktikë të buxhetit tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, deri në mbajtjen e zgjedhjeve, qeveria ka qenë agresive në realizimin e investimeve publike duke përdorur shpenzimet e larta për përfitime elektorale.

Por menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, ritmi i realizimit të investimeve ka rënë ndjeshëm, duke bërë që edhe këtë vit, Shqipëria të përballet me të njëjtin fenomen që është përballur vitet e fundit; mosrealizim i investimeve apo përqendrim i tyre në dy muajt e fundit, shpesh përmes praktikave të dyshimta si ajo e letër-krediteve.

Rënia e investimeve

Investimet janë zëri më produktiv i buxhetit sepse ndikojnë drejtpërdrejtë rritjen ekonomike dhe rrisin punësimin. Por prej 3 vitesh, investimet, të njohura ndryshe si shpenzimet kapitale, janë zëri me ecurinë më problematike të buxhetit.

Por rënia e investimeve publike gjatë viteve të fundit nuk është shqetësimi i vetëm. Ekspertët kanë ngritur shqetësim edhe për cilësinë e tyre.

Prej vitesh Shqipëria nuk ka përfunduar asnjë vepër madhore publike, rruga apo investim tjetër që ndikon jetën e qytetarëve. Paratë kanë shkuar në projekte të copëzuara, shpesh edhe në zëra që nuk kanë lidhje me investimet si rikonstruksion zyrash, fasada apo mobilime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here