Kush do të jetë pasuesi i Karim Benzema tek Los Blancos? Trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane, nuk e mohoi nevojën që skuadra ka për të ndërhyrë në merkato, ndonëse nuk preferoi të fliste me emra të përveçëm.
Me fanatizëm, francezi u mundua të mbronte stafin e tij duke vënë në dukje se disfata në El Clasico dhe distanca e madhe e krijuar me Barcelonën ka lënë shije të hidhur, por la të kuptohej se Karim Benzema me formën jo të mirë që po tregon mund të largohet dhe se mirëpret ardhjen e ndonjë tjetër sulmuesi që mund të ofrojë më shumë garanci në repartin e avancuar dhe në fakt alternativat nuk mungojnë.
Emri i Mauro Icardit tashmë po qarkullon prej kohësh, por nuk është i vetmi. Alexis Sanchez edhe pse jo një qendërsulmues pëlqehet shumë, por për të gara është e ashpër, pasi në ndjekje të tij janë Manchester City dhe Barcelona.
Sidoqoftë emri i futbollistit të Arsenalit është një opsion ku klubi mbretëror nuk po shfaq vendosmëri të madhe për të nisur tratativat.
Dy kandidaturat e tjera janë, Timo Werner i Leipzig dhe Harry Kane. Drejtuesit e të dy klubeve janë të gatshëm të ulen për të biseduar më homologët e tyre madrilenë.
Për Kane dhe Icardin oferta kap shumën e 100 milionë eurove. Duket si diçka utopike shpenzimi i një shume kaq të majme në janar, por situata është emergjente dhe goli tashmë është kthyer në problem për Realin e Madridit.