Varësia nga videolojërat është një sëmundje mendore. Alarmi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që ka përfshirë zyrtarisht të ashtuquajturin “gamaing disorder”, çrregullimin nga lojërat kompjuterike, në listën e sëmundjeve për vitin 2018.
Sipas OBSH-së, personat e varur nga këto lojëra janë të prirur të lënë pas dore gjithçka tjetër duke shpërdoruar një kohë të gjatë të ditës së tyre e duke humbur vetëkontrollin. Dëmi që shkaktojnë nga lojërat kompjuterike është aq i rëndë sa dëmtojnë jetën personale, familjare dhe atë profesionale, vlerëson Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Në listën e patologjive ndërkombëtare, që nuk ndryshonte prej vitit 1992, kjo është hera e parë që OBSH përfshin një varësi teknologjike, krahas atyre nga drogave apo alkoolit.
Ndonëse u përcaktua këtë vit si patologji, “çrregullimi nga lojërat kompjuterike” është një problematikë që trajtohet prej vitesh në vendet aziatike, që janë përdoruesit më të mëdhenj të tyre. Në Korenë e Jugut, ndalohet me ligj përdorimi i videolojërave nga mesnata në orën 6 të mëngjesit, ndërsa në Kinë e Japoni, minorenët lajmërohen përmes njoftimeve të rrinë larg tastierës dhe komandave të kompjuterit.