Në kuadër të Marrëveshjes Hidrokarbure që shteti shqiptar ka lidhur me kompaninë Shell Upstream Albania, për kërkimin e hidrokarbureve në Blloqet 2-3, në tokë, ka nisur operacioni për shpimin te pusi i Vlerësimit Shpiragu-4.
Pusi Shpiragu-4 klasifikohet si një pus i thellë dhe është pusi i katërt që shpohet nga kompania Shell Upstream Albania, pas atyre Shpiragu-2, Molishti-1 dhe Shpiragu-3.
Në njoftimin zyrtar të AKB-së sqarohet se për të ardhur deri tek shpimi i pusit, kompania ka kryer më parë një volum punimesh sizmike dhe një sërë studimesh përgjithësuese gjeologjike.
Kujtojmë se në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit Shpiragu-2, në Dhjetor të vitit 2013, kompania Shell ka deklaruar se ka bërë një zbulim të ri në pusin Shpiragu-2. Për të vlerësuar kapacitetin naftëmbajtës të zonës janë duke u shpuar disa puse vlerësimi, sipas një Programi Vlerësimi, njofton ATSH. Ky program ka për qëllim të vlerësojë naftëdhënien, të përcaktojë madhësinë e rezervuarit dhe qëndrueshmërinë ekonomike të projektit.
Një grup specialistësh dhe përfaqësues të AKBN ndoqën nga afër fillimin e operacioneve të shpimit.