Reforma në drejtësi ka ngjallur një pritshmëri pozitive. Por vendimet e fundit të gjykatave mund ta trondisin besimin e qytetarëve se në rrjetën e drejtësisë mund të bien një ditë edhe peshq të mëdhenj.
Ishte paaftësia e prokurorisë për ta vërtetuar akuzën e vrasjes, apo ndërtimi i tillë i dosjes, me apo pa qëllim nga prokuroria, që të mos i linte rrugë tjetër gjykatës përvec vendimit që dha?
Sigurisht, Mark Frroku përfiton nga prezumimi i pafajësisë për akuzën e vrasjes dhe ai është zyrtarisht i pafajshëm sa kohë gjykata nuk ka vendosur ndryshe. Por drejtësia, njësoj si politika, nuk është shkencë ekzakte. I tillë ishte rasti i Arben Frrokut, vëllai të Markut.
Herën e parë u shpall i pafajshëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt dhe doli nga burgu mes entuziazmit të mbështetësve të tij. Por vetëm pak kohë më vonë u dënua nga Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për të njëjtën akuzë, vetëm se koha kur ishte zyrtarisht i pafajshëm i dha mundësi Arben Frrokut të largohej nga Shqipëria dhe sot për të nuk flet më askush.
Informacioni i fundit e lidhte me një ndalim policie në Holandë, në pritje të ekstradimit në Shqipëri, që deri tani nuk ka ndodhur.
Një tjetër vendim i shumëkomentuar është lirimi i Orest Sotës, në automjetin e të cilit u gjetën patentat detare të ish-ministrit Saimir Tahiri, bashkë me 863 mijë euro, që prokuroria dyshoi se janë të Tahirit.
Por më pas vetë Prokuroria u tërhoq nga ky pretendim. Saimir Tahirit Apeli i Krimeve të Rënda i ktheu pasaportën dhe të drejtën për të udhëtuar jashtë shtetit, duke hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë.
Nisur edhe nga rasti i tre gjyqtarëve të Apelit Durrës që udhëtuan për të parë ndeshjen Real-Barcelona bashkë me një biznesmen për të cilin dhanë një vendim të favorshëm në një process civil, e që kolegët e tjerë gjyqtarë sot refuzojnë t’i pezullojnë nga detyra pas kërkesës së prokurorisë, natyrshëm lind pyetja nëse drejtësia po lan hesapet dhe bën nderet e fundit përpara se presioni ndërkombëtar të presë degën e kalbur, ku janë ulur bashkë politikanë dhe njerëz të drejtësisë.
E megjithatë, institucionet e reja të drejtësisë ende nuk janë ngritur, kurse procesi i vetingut po zhvillohet në mungesë të plotë transparence, aq sa edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit u ankua te komisioneri për të drejtën e informimit.
Publiku jo gjithmonë është racional në atë që kërkon dhe ndoshta në kërkimin e drejtësisë së munguar mund të mos kënaqej deri sa t’i shihte të tërë pas hekurave. Tek e fundit revolucionet janë çuar perpara nga masat. Por, nga ana tjetër askush nuk mund të thotë se në Shqipëri drejtësia ka qenë një shkencë ekzakte. Për drejtësinë shqiptare, rrallëherë 1+1 bëjnë 2./TCH