Hilton njofton se hoteli në Tiranë është i vendosur pranë qendrës së kryeqytetit, raporton Monitor.
Dhomat do të kenë shërbim ditor dhe të gjitha ambientet do të kenë WiFi free. Hilton njofton se do të ketë hapësira për shërbime të ndryshme dhe largësia e hotelit nga aeroporti është vetëm 20 minuta.
Hoteli do të ketë gjithashtu një njësi shitje 24-orëshe për gjëra që zakonisht duhen për udhëtim dhe gjithashtu do të ketë shërbime 24 orë në linjën e biznesit.
Kuzhina dhe ushqimi në hotel do të marrin në konsideratë traditën vendase, duke mundësuar edhe shërbimin në dhomë.
Hoteli do të ofrojë dhoma të madhësive të ndryshme, shumica e tyre me ballkon me pamje nga kodrat rreth qytetit.
Hilton po vjen në një kohë kur kërkesa për shërbimet e luksit nuk është premtuese.
Pak ditë më parë shpalli falimentin Sheraton Albania, hoteli prestigjioz me pesë yje, edhe pse gjatë aktivitetit në vendin tonë ofroi çmime poshtë standardit dhe shërbimeve që ofronte.
Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro.
Kompania, e përqendruar në hoteleri e turizëm, rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.
Edhe hotel Plaza, një investim vendas i të njëjtit standard nuk arrin t’i shfrytëzojë tërësisht kapacitetet.
Numri i të huajve që e vizitojnë vendin nga viti në vit është në rritje, por shoqatat hoteliere bëjnë me dijë se kërkesa është e orientuar në hotelet e standardit të mesëm me 3-4 yje.
Nga ana tjetër, qeveria nëpërmjet Paketës Fiskale 2018, ka lehtësuar ndërtimin e hoteleve me 5 yje duke i përjashtuar nga taksat në 10 vitet e para të aktivitetit, por ekspertët e turizmit janë të frikësuar nëse këto investime janë në përputhje me kërkesën.