Mbrëmja e radhës në kampionatin e NBA ishte e Portlandit. Skuadra e Trailblazers mori një fitore në frymën e fundit ndaj San Antonio Spurs. Portland nuk kishte në parket Lillard, kështu që rolin e protagonistit për të e mori McCollum.
Disfatë pëson edhe Oklahoma City në përballjen me Phoenix Suns me rezultatin 114-100. Për skuadrën e Thunder, Russell Westbrook e bëri detyrën e tij në parket duke shënuar bilancin me 26 pikë, 10 topa në tabelë e 11 asist, por këto nuk i mjaftuan kësaj skuadre për të ndryshuar gjërat. Phoenix u shfaq në një formë të shkëlqyer dhe në periodën e tretë arriti ta çojë diferencën me Oklahomën deri në 18 pikë
Los Angeles Lakers shkatërroi Atlantën me rezultatin 132-113 me skuadrën e Hawks që e pati të vështirë të rezistojë për më shumë se 10 minuta ndaj skuadrës kaliforniane. Në Staples Center, Lakers që në shtëpinë e saj nuk është se ka pasur rezultate të shkëlqyera arriti t’i imponohej skuadrës së Hawks ku 8 basketbollistë të saj regjistruan statistika dyshifrore.
Në ndeshjet e tjera të NBA, Utah humbi ndaj Miamit me rezultatin 102-103, ndërsa New York Knicks fitoi me Dallasin 100-96.