Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri homazhe në “Muzeun Kombëtar” në nderim dhe respekt të mjeshtrit të valles popullore shqiptare dhe koreografit, Rexhep Çeliku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme vetëm pak ditë pasi ishte vlerësuar me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës dhe veprimtarisë artistike të të ndjerit Rexhep Çeliku, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve e duke lënë shënim në Librin e Zisë.
Rexhep Çelikun ka vetëm një vlerësim, ka përjetësi dhe ai do të jetë gjithmonë në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve dhe të kombit tonë, shqiponja që vallëzon dhe fluturon vetëm lart”, – tha Presidenti i Republikës, duke shtuar se Rexhep Çeliku do të jetë një burim frymëzimi për artistët e rinj.
“Unë besoj se Rexhep Çeliku siç kishte mbiemrin tregoi edhe fuqinë e jashtëzakonshme të karakterit të tij dhe në tre vjetët e fundit ku ai luftoi me një sëmundje të poshtër, të cilën ai e mundi. Mjafton të kujtoj këtu se kushdo që para dy muajsh ka ndjekur Rexhep Çelikun në skenë me rastin e 60-vjetorit të Ansamblit nuk e ka kuptuar dhe nuk e ka menduar që ky njeri kishte tre vjet me një sëmundje. Dhe unë mund të them që Rexhep Çeliku e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për Shqipërinë për shqiptarët për skenën për vallen tonë, për artin tonë prandaj edhe do të jetë gjithmonë i përjetshëm në mendjet dhe në zemrat tona dhe uroj një burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj, sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij”, – deklaroi Presidenti i Republikës.