Vetëm disa minuta pas shpërthimin që ndodhi dje në një nga lagjet e qytetit të Shkodrës, një person me skafandër në kokë ka lënë vendin e ngjarjes një pako me 300 gr eksploziv.
Nga video dallohet se pasi ka lenë pakon është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Hetuesit thonë se ai ka qenë në dijeni të faktit se në zonë kishte kamera sigurie. Po ashtu, nuk ka dashur që të shihej nga qytetarët që gjendeshin aty. Kamerat kanë filmuar disa nga lëvizjet e tij, derisa sa zhduket mes rrugicave, por ai nuk mund të identifikohet.
Policia ka mbledh të gjitha filmimet e kamerave përgjatë rrugës që pretendohet që personi i dyshuar është larguar. Po këqyret në detaje edhe motoçikleta ku ishte vendosur bomba, në përpjekje për të gjetur gjurmë të lëna prej atentatorit.
Sipas hetimeve dyshohet se atentati ka qenë kundër Lulzim Kullës, 42 vjeç, i njohur në Shkodër për disa vepra penale.
Ai mori plagë të renda dhe po kurohet në Spitalin e Traumës në Tiranë.
“Ka ardhur me dëmtime, djegie të ekstremiteteve të poshtme dhe sipërme. Ka shembje të mushkërive, probleme me veshët dhe sytë. Jemi në fazën e stabilizimit të gjendjes. Paraqet djegie të shkallës së parë dhe të dytë në masën 20- 25 për qind. Pas konsultës që bëmë me mjekët e djegie plastikës vendosëm të mbajmë pacientin në reanimacion. Aktualisht reagon dhe mund të komunikojë”, tha Jorgo Marga, shef i reanimacionit.
Sapo gjendja e tij të stabilizohet, ai do të merret në pyetje nga policia. 7 personat e tjerë që mbetën të plagosur nga shpërthimi i fuqishëm, janë gjithashtu jashtë rrezikut për jetën.
Pas atentatit, blutë e Shkodrës morën në pyetje të paktën 9 dëshmitarë. Pista kryesore e hetimit është aktiviteti i 42-vjecarit Lulzim Kulla dhe konfliktet që ai mund të ketë pasur nga përfshirjet e mundshme ne aktivitete të dyshimta.