Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ishte sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku dorëzoi një dokument që mund ti shërbejë hetimeve për çështjen Tahiri.
Pas daljes nga Prokuroria, në një prononcim për mediat, Alibeaj sqaroi:
“Depozitova një dokument që fakton qartësisht bashkëpunimin e Tahirit me një nga anëtarët e bandës, Artan Habilaj. Dokument është një policë e sigurimit të makinës Audi me targa 003 që tregon në përmbajtje 2 emra të përdoruesve, Saimir Tahiri dhe Artan Habilaj. Dokumenti tregon faktin e bashkëpunimit të kësaj makine që është përdorur për trafikun e drogës jashtë dhe brenda Shqipërisë. Polica e sigurimit mban datën 2 prill 2015 – 2 prill 2016. Ky dokument tregon bashkëpunimin e vazhdueshëm, edhe pas 2014-ës. siç u pretendua në komisionin e vlerësimit të mandateve. Kohë në të cilën edhe Dritan Zagani bëri denoncimet e tij, edhe opozita bëri denoncimet e saj. Tahiri ka gënjyer kur tha se s’ka lidhje me bandën Habilaj”.
Alibeaj shtoi se dëshmia e shoferit të dytë të Tahirit, dhënë pak ditë më parë te Krimet e Rënda, tregon se bashkëpunimi mes ish-ministrit dhe Habiljave ka vazhduar përtej vitit 2014.
“Tregon faktin e angazhimit total të Ramës për të mbyllur hetimet”, shtoi ai, ndërsa më tej i bëri dhe një apel Prokurorisë: Inkurajoj Prokurorinë ta hetojë dokumentin me përparësi.