Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar ndaj një vendimi të qeverisë Rama mbi heqjen e shpërblimit për ish-të përndjekurit politikë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se qeveria ka hequr shpërblimin për 13 mijë ish të përndjekur politikë, ndonëse kur Edi Rama erdhi në pushtet premtoi dëshpërblimin e plotë të tyre brenda dy viteve të atyre që janë gjallë deri tek rritja e vlerës së dëmshpërblimit monetar.
“Qeveria heq shpërblimin për 13 000 ish-të përndjekur politikë!
Kur Rama erdhi në krye të qeverisë në 2013 u premtoi klasës së të Përndjekurve Politikë nga dëmshpërblimi i plotë brenda dy viteve të atyre që janë gjallë deri tek rritja e vlerës së dëmshpërblimit monetar. Sa më shumë vitet kaluan aq më e ulët qe shuma që kryeministri dhe qeveria akorduan për këtë shtresë.
Shifrat flasin qartë, nga 2014 deri në 2017 qeveria ka miratuar 3.2 mln lekë më pak si dëmshpërblim ndaj kësaj shtrese në raport me qeverinë e shkuar. Numri i të përndjekurve politikë është ulur me 43.000 në raport me numrin e atyre që kanë marrë dëmshpërblimin në 2009-2013. Me këto ritme duhen edhe 20 vite që kjo shtresë të marrë demshpërblimin që ne si shtet dhe si shoqëri u kemi borxh.
Por qeveria duket se me kaq nuk është e kënaqur. Ministri Financave pasi u ka falur të gjitha koncesionet një grushti biznesesh rreth qeverisë, do ia ulë edhe më dëmshpërblimin kësaj shtrese. Kështu i trajtojnë premtimet dhe përbetimet qeveria e cila ende në kujtesë ka grushtin e nënës parti. Me të njëjtën devotshmëri, vazhdon trajtimi i pasardhësve të atyre që jetën e tyre e shkuan burgjeve, kampeve të internimit dhe njollës klasore.
Qeveria po tallet me këtë shtresë, duke e përbuzur me neveri vuajtjen dhe mundin e tyre. Ditë për ditë po u heqin nga një lek në atë pak demshpërblim. Duke shpresuar se një ditë ata do të harrojnë se kush janë. Por në fakt ne nuk do t’i harrojmë ato çfarë diktatura bëri.
Mund të japin tendera e koncesione, mund të kapin drejtesinë e prokurorin, mund dhe të varfërojnë shqiptarët, por nuk mund t’i fshijnë nga kujtesa e jonë vuajtjet e komunizmit. Mund të falim por jo të harrojmë apo të shkelim mbi eshtrat e paraardhësve tanë!”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale, postim që e shoqëron me një foto në institutin e të përndjekurve politikë.