Kadiu: Këshilli Ekonomik Kombëtar, vetëm për interesat e Ramës

0
228

Deputetja demokrate, Fatbardha Kadiu, sot në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku ka akuzuar Kryeministrin Rama se e shfrytëzon këtë institucion vetëm për klientët dhe interesat e tij.

Në fjalën e mbajtur në këtë mbledhje, Kadiu u ndal në funksionimin e këtij Këshillit që është mbrojtja e interesit publik kombëtar. Por fakti se ky këshill është në varësi të kryeministrit dhe të gjithë anëtarët dhe vendimet përcaktohen nga kryeministri, ky institucion zhvillon vetëm interesat e tij.

Për këtë qëllim deputetja Kadiu propozoi që ky këshill të mos jetë më në varësi të kryeministrit.

“Nisur nga interesi publik dua t’ju bëj me dije se Këshilli Kombëtar i Ekonomisë nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të qeverisë. Për nga vetë emërtimi ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar përtej konceptit të qeverive. Në rast të kundërt, kështu siç është aktualisht, është thjeshtë këshilli ekonomik i kryeministrit.

Forma dhe konteksti në të cilin është shkruar ky ligj nuk ka asnjë pikë kontakti, qoftë dhe tangent me kombin, por thjesht interesa vetjake të kreut të ekzekutivit. Pra ky është këshilli i kryeministrit. Por nën vazhdën e asaj çka po ndodh në Shqipëri, me bëmat e kryeministrit dhe të kësaj qeverie, atij i duket se Ekonomia e vendit është Ekonomia e tij personale. Por fundja ashtu siç çdo sektor tjetër, ajo që bie në sy është kapja e ekonomisë prej tij, centralizimi i çdo institucioni”,  tha Kadiu.

Më tej, ajo akuzoi kryeministrin Rama se ka kapur këtë institucion dhe dikton veprimtarinë e tij. Ajo gjithashtu tha se veprimtaria e këtij institucioni është jo transparente.

“Këtu kemi një ministri të tërë që nuk bën transparente asgjë, as edhe një rregull as edhe një procedurë. Ky është një institucion i dështuar që në gjenezë”, – tha Kadiu.

Më tej, ajo kërkoi që të bëhet transparencë në lidhje me sugjerimet e anëtarëve të këshillit, sugjerimet e subjekteve të ftuar në këtë këshill, procedurat dhe sugjerimet e përfaqësuesve të biznesit.

Në mbyllje Kadiu theksoi se fakti që ky institucion varet nga kryeministri nuk garanton stabilitet afatgjatë ekonomik.

“Ligji dikton që kryetari i këshillit është kryeministri, dhe çdo anëtar emërohet nga kryeministri, pra sa herë ndryshon kryeministri ndryshon dhe qasja e ekonomisë së vendit. A e di kryeministri që historia e Shqipërisë nuk nis dhe nuk mbaron me një kryeministër?! Më thoni a mund të prodhojë kjo një stabilitet apo rrugëtim ekonomik afatgjatë për vendin?! Sigurisht që jo. Nisur nga përbërja e KEK-ut çfarëdolloj ndryshimi në këtë ligj që mund të sillni ju, ai nuk mund të rezultojë me ndonjë efekt pozitiv”, tha ajo.

Madje ajo shtoi se “nëse ky është Këshill Ekonomik Kombëtar gjithkush mund të jetë anëtar, por JO anëtarët e qeverisë. Struktura të tilla vërehen vetëm në vende diktatoriale dhe jo në ato demokratike, apo vendeve të BE-së”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here