Kërkesa e PS për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit është kthyer në një debat politik në vend. Një ditë më parë, deputetët e mazhorancës kanë ndërmarrë hapa konkrete për qartësimin e rregullave, kushteve dhe procedurave për arrestimin e deputetëve.
Në projekt-vendimin e PS është vendosur si kusht paraqitja e provave bindëse nga ana e prokurorisë. Sipas propozimit, deputetët apo ministrat nuk mund të arrestohen në bazë indicesh apo dyshimesh të arsyeshme.
Fill pas këtij propozimi, ka reaguar opozita, të cilët thonë se kjo është përpjekje e kryeministrit Rama për të mbrojtur deputetët si në rastin e ish-ministrit Tahiri.
Këtë situatë e ka komentuar ish-ministri Besnik Mustafaj. Në rubrikën “Opinion” në “News24” ai tha se duhet të shpjegohet më qartë propozimi i mazhoranës, dhe po kështu edhe opozita duhet të sqarojë pse është kundër.
“Rregullorja e Kuvendit ka ndryshuar në mënyrë sistematike gjatë viteve. Kanë qenë mazhorancat ato që kanë ndërmarrë nisma të tilla. Kjo është një praktikë me të cilët parlamentarët janë mësuar, dhe opinioni publik nuk i ka marrë shumë në konsideratë. Por siç thuhet kërkesa e PS vjen pas seancave dëgjimore për Saimir Tahirin, dhe diçka e tillë cilësohet si ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Shpjegimet nga ana e iniciatorëve të këtyre ndryshimeve janë të paqarta dhe dyshimta. As opozita nuk i ka shpjeguar në mënyrë të qartë se çfarë të keqe ka realisht ndryshimi i Rregullores. Si një parlamentar i vjetër do të thoja se nga momenti që këto ndryshime janë të paragjykuara dhe nuk janë të nevojshme këto dyshime mazhoranca duhet t’i ndërpresë dhe t’i lërë për një moment më të qetë”, u shpreh Mustafaj.
Sa i takon ngritjes së komisioneve të reformës në drejtësi, KLP dhe KLGJ, Mustafaj tha se mosbesimi ndaj këtyre struktura e dëmton procesin.
“Akuzat e ndërsjellë nga ana e politikës edhe në procese të tilla që i bëjnë duke punuar bashkë, opozitë-mazhorancë, krijojnë një mosbesim në publik për reformën në drejtësi. Kjo krijon klimën e mosbesimit. Por duhet të themi se reforma në drejtësi e ka jetike besueshmërinë e opinionit publik. Nëse ne krijojmë një reformë që nuk gëzon besimin e opinionit publik nuk do të jetë e qenë”, tha Besnik Mustafaj.