Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ndaj kërkesës së PS-së, për ndryshimet në rastin e një kërkesë të Prokurorisë për arrestimin e një deputeti. Sipas rregullores aktuale, sot Prokuroria mjafton të dërgojë në Kuvend një kërkesë dhe dokumentet shoqëruese. Propozimet e socialistëve fusin shprehimisht termin prova. Prokuroria duhet ta dorëzojë relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me prova.
Manjani shkruan se qeveria kërkon të kontrollojnë SPAK-un (Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar), ku shton se SPAKU mund të mbledhë prova, por ato i shkatërron Rilindja.
”I kërkojnë atij prova para se ato ti paraqiten gjykatës. Kushdo e di tashmë që provat kur dalin në pazar, nuk ka gjykatë që i vlerëson si të rregullta”,-shton ish-ministri i Drejtësisë.
Më tej ai shton se propozimi i nxjerr bllof. ”Ndryshimi që propozojnë i nxjerr vetë bllof dhe i zë në flagracë duke dhunuar çdo ligj! Po kur thonë se e duan reformën më shumë se të gjithë”.
Statusi i plotë
E lëmë mënjanë argumentin që rregullorja e Kuvendit për herë të fundit u miratua me konsensus, të kërkuar nga Edi Rama. Në fakt në emër të konsesusit që ju dha, ai shtyu në kohë marrjen e statusit Kandidat. Por, nejse! Ta lëmë mënjanë këtë.
Të merremi pak me arsyen përse po e ndryshojnë rregulloren tani? Duan të kontrollojnë SPAK-un. I kërkojnë atij prova para se ato ti paraqiten gjykatës!!! Kushdo e di tashmë që provat kur dalin në pazar, nuk ka gjykatë që i vlerëson si të rregullta.
Pra le të lodhet sa të dojë SPAKU për të mbledhë prova se i shkatërron Rilindja me rregullore! Jo me Kushtetutë, as me ligj, thjesht me rregulloren e brendshme! Natyrisht kjo procedurë vlen për Rilindasit, jo për të tjerët.
Të mos e hapim argumentin tjetër, si e mbrojtën Saimirin, kur s’paska pasur as rregullore?! Ndryshimi që propozojnë i nxjerr vetë bllof dhe i zë në flagracë duke dhunuar çdo ligj! Po kur thonë se e duan reformën më shumë se të gjithë?!
Natyrisht sa të jenë me imunitet e duan. Kur të mos jenë ku do shkojnë? Në emigracion?
Të shohim!
Hë për hë veprojnë ligjet e hashashit!