Ekzekutimi mafioz i një prej emrave më të lakuar të botës së krimit në Greqi, bëri bujë në mediat e shtetit helen por edhe ato shqiptare. Vasilis Stefanakos ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës, kur është qëlluar në makinën e tij në lagjen “Hajdari” të Athinës me 15 plumba.
Lajmi u përhap me shpejtësi, pasi ai njihej si organizatori i arratisjeve të Alket Rizait. Ky i fundit në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ka treguar lidhjen me Vasilis Stefanakos.
Të paktën mua mos më ngatërroni me këtë çështje, se unë s’kisha lidhje me atë. Kishim kohë që i kishim prishur muhabetet, e nuk dua që mediat shqiptare të më përmendin. Për këtë rast më erdhi e policia e më pyeti, por unë nuk kam asnjë dijeni për vrasjen”.
Alket Rizai në rrëfimin ekskluziv për “Gazetën Shqiptare” thotë se: “Me Vasilis Stefanakos ishin thjesht të njohur dhe se ishin akuzuar në 2006 bashkë. Po nuk kemi asnjë lidhje me njëri-tjetrin”
Ngjarja
Sipas mediave greke dy persona me një motor të vjedhur i janë afruar automjetit që drejtonte 57-vjeçari Stafanakos dhe e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi. Vasilis Stefanakos ishte liruar para një viti e gjysmë nga burgu, pas 8 vitesh heqje lirie.
I konsideruar edhe si një nga baronët e burgjeve, ai ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij pas hekurave të qelisë, ndërsa ka pasur edhe një faqe personale të internetit, të cilën e rifreskonte thuajse përditë. Atij i atribuohet, ndër të tjera, roli udhëheqës në aktet e mafies greke, si dhe një marrëdhënie bashkëpunimi me anëtarët e grupit terrorist “Komploti i celulave të zjarrit”.
Gjithashtu, ai ishte dënuar me 21 vite e 3 muaj burg, si autor i një vrasjeje, për të cilën akuzohet Alket Rizai, ndërsa konsiderohet edhe si organizatori dhe financuesi i arratisjeve spektakolare të tij nga burgu famëkeq i Korridhalosë, bashkë me Vasilis Paleokostas. Në vitin 2006, ai ishte dënuar edhe me 14.5 vite për implikime në veprimtari kriminale. Polica ka hapur një proces hetimi për të gjetur se kush fshihet pas kësaj vrasjeje.