Projekti për ndërtimin e aeroportit të ri, kërcënon zonën e mbrojtur “Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë”
Është ky qëndrimi i shoqatës së ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri, e cila në njoftim për mediat ka argumentuar pse është me rrezikshmëri ngritja e aeroportit në Vlorë.
“Gjatë ditëve të fundit, në media, po qarkullon lajmi i ndërtimit të një aeroporti të ri në afërsi të qytetit të Vlorës dhe pikërisht në zonën e quajtur Akërni, e cila ndodhet në brendësi të plotë të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë. Ndërtimi i një aeroporti të ri, është padyshim një lajm i përgëzueshëm dhe i mirëpritur për shumicën e publikut, megjithatë vendndodhja e propozuar e ndërtimit të këtij aeroporti është e papërshtatshëm dhe mjaft e dëmshme për natyrën dhe biodiversitetin e lartë të zonës. Vjosë-Narta, përfaqëson një ndër zonat më të dalluara në vend përsa i përket vlerave të biodiversitetit, në veçanti atij avifaunistik. Kjo zonë, njihet ndërkombëtarisht si zonë e Rëndësishme për Biodiversitetin në nivel Global; është pjesë e rrjetit Emerald të zonave me Rëndësi të Veçantë Ruajtje; është njohur nga BirdLife International si Zonë e Rëndësishme për Shpendët në nivel Global; është zonë nën vlerësim për rrjetin Natura2000 në Shqipëri dhe mbi të gjitha është pjesë e rrjetit kombëtar të Zonave të Mbrojtura“, thuhet ne reagim.
Sipas kësaj shoqate, ndërtimi i një infrastrukture të tillë, kërcënon rëndë integritetin ekologjik të zonës si pasojë e tjetërsimit të habitateve gjatë fazës së investimit dhe shqetësimit gjatë fazës së operimit dhe është në kundërshtim me normat rregullatore e ligjore për zonat e mbrojtura.
“Bazuar në standarted dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe zonave me vlera të larta natyrore, ndalohet ndërtimi i veprave të tilla të cilat kanë një impakt shkatërrues në ekosistem. I bëjmë thirrje institucioneve përkatëse për të ri-konsideruar vendin e përzgjedhur për ndërtimin e aeroportit dhe jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunimin tonë teknik dhe shkencor në vlerësimin e vendndodhjeve alternative të cilat nuk do të cënojnë integritetin e zonave të mbrojtura dhe do të rrjedhin nga një proces i përgjithshëm i konsultimit me publikun dhe palët e interesit“, thuhet në reagim.