Skandalet dhe problemet e qeverisë Rama skanë të mbaruar. Këtë radhë kemi të bëjmë me portalet e promovuara nga vetë kryeministri për punësimin e mësuesve dhe infermierëve të cilët janë totalisht jashtë funksionit.
Nisma për çeljen e këtyre portaleve u trumbetua nga kreu i qeverisë si një instrument i cili do t’i mbajë punësimet në 2 sektorët më të rëndësishëm në vend larg “tepsisë së pushtetit”.
Por një vëzhgim i shpejtë në të dy faqet online rezulton se, në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë” pjesa më e madhe e kategorive janë jashtë funksionit.
Tek portali “Mësues për Shqipërinë”, pjesa më e madhe e ikonave janë të paklikueshme, pra e thënë më qartë që një mësues i cili dëshiron të shohë vendet e lira të punës apo të aplikojë për secilin shërbim që ofrohet në faqe e ka të pamundur.
Rreth 10 ditë më parë çelja e portalit më të ri “Infermierë për Shqipërinë” sipas Ramës ishte një lajm i mirë pasi: “Ashtu sikurse bëmë me mësuesit më parë do bëjmë edhe për infermierët, pra shpëtimin nga kthetrat partiake dhe askush nuk do lëvizet nga vendi i punës për arsye politike. Pra tepsinë e çojmë për skrap. Çdo infermier do rekrutohet në bazë të meritës tek portali. Sot janë 420 vende vakante. Ne kemi refuzuar t’i mbushim vendet vakante nga poshtë, nga lartë, pasi përgatiteshim për këtë proces “.
Sot, 10 ditë pas përurimit faqja është absolutisht e paaksesueshme.
Çka do të thotë që qindra infermierë të paduruar për përmbushjen e premtimeve për një vend pune jashtë ndërhyrjeve partiake, janë në pritje të një portali dhe politike realisht funksionale.