Nga Feti ZENELI
Opozita është pushteti moral i qytetarëve në një sistem demokratik. Parë në këtë këndvështrim, do të thosha, se opozita shndërrohet në zëdhënësen e zërit qytetar kundër qeverisë, për problemet e ndryshme që shqetësojnë popullatën e vendit. Këtë rol do synoj të luaj Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare në protestën e 27 janarit, ashtu siç ndodh realisht në çdo demokraci normale, ndonëse lufta frontale që po u bëhet atyre nga jashtë e nga brenda, me në krye trupat qeveritaro-mediatike, po ua vështirësojnë shumë punën ndërgjegjëse me njerëzit. Pikërisht këtë shqetësim përcillte artikulimi i Ben Blushit, me rastin e dorëheqjes së tij nga kreu i “Libra”, se “shqiptarët nuk e duan opozitën”.
Por opozita nuk mund të zgjedh një ambient tjetër, më komond për të përmbushur misionin e saj. Sidoqoftë, ka dhe avantazhin, se këtë here, qytetarët tanë kanë arsye të shumta për të protesuar, pasi liritë e tyre demokratike janë cunguar, gjithë pushtet e pavaruara janë zaptuar, gjëndja ekonomiko-financiare është përkeqsuar, emigracioni ka kulmuar, vendi dergjet i kanabizuar, ndërsa vetë qeveria është kriminalizuar. Kësisoj, siç thonë në raste të tilla, bëhen njëmijë e një arsye, për të ngritur zërin e reagimit qytetar. Të paktën ky është perceptimi i krijuar nga analiza e problematikës social-ekonomike që gëlon sot në jetën tonë të përditshme. Faktet tregojnë, se në këto 28 vite tranzicion, shqiptarët nuk kanë patur kurrë kaq shumë arsye të qënësishme për t’u ngritur kundër qeverisë, ku vendin e parë e zënë arsyet e mirëfillta ekonomike, të cilat burojnë nga politikat e gabuara, që ka ndjekura në këtë drejtim, qeveria e “Rilindjes”.
Në një kohë, kur pas afro tre dekadash ekonomi tregu, gati gjysma e popullsisë së vendit jeton akoma me 5 dollarë në ditë, si askund tjetër në Ballkan apo në Europë, janë të gjithë arsyet që në protestën e 27 janarit të dalin gati milion shqiptarë. Por një gjë e tillë s’mund të ndodh realisht, pasi përveç ç’thamë më lartë, ekzistojnë pengesa të ndryshme të natyrës subjektive, mbi bazën e të cilave, Isaja Berlini ka ndërtuar konceptin filozofik të lirisë pozitive dhe asaj negative të individit. Ai i referohet shembullit të Xhorxh pijanecit, i cili “…është ulur dhe përballë tij gjendet një gotë konjak. Askush nuk i ka vënë atij pistoletën tek koka për ta detyruar që të pijë. Nuk ka as shtërngesa e as pengesa, asgjë që e detyron për të pirë dhe asgjë që e ndalon të pijë. Ai është i lirë të bëjë atë që do. Por Xhorxhi është një i alkolizuar.
Ai e di që pija është e keqe, madje se dhe mund ta vrasë atë. Ai mund të humbasë miqtë, familjen, fëmijët, punën, dinjitetin, respektin ndaj vetes, por ai nuk e ndihmon dot veten. Ai zgjat dorën që është duke iu dridhur dhe ngre gotën për tek buzët…”. Tek ky shembull janë në lojë dy lloje të ndryshme lirish; “liria negative” dhe “liria pozitive”. Isaja Berlini, një prej filozofëve më influentë të shekullit të 20-të, quan “liri negative” atë lloj lirie që ne e mendojmë si “…mungesën e kufizimeve apo shtërngesave të jashtëme”. Pra ne jemi të lirë për aq kohë sa nuk ekziston një pengesë e cila na ndalon të bëjmë atë që duam. “Në këtë kuptim, -vazhdon të arsyetojë Berlini, -Xhorxh pijaneci është krejtësisht i lirë. Por Xhorxhi nuk e ndihmon dot veten. Ai është i detyruar që të pijë, edhe pse ai e di, se është në interes të tij që të mos pijë. Ai nuk e kontrollon dot plotësisht vetveten dhe nuk e ka plotësisht në dorë fatin e tij. Sepse Xhorxhit pijanecit i mungon ajo që Berlini e quan “liri pozitive”, për arsye se përcaktohet nga ajo çka duhet të jetë brenda vepruesit; si vetkontrolli, fjala vjen, autonomia, aftësia për të vepruar në përputhje me atë që është vlerësuar në mënyrë racionale se është në të mirë të njeriut, etj. Duket qartë se në këtë kuptim Xhorxhi nuk është aspak i lirë.
Tani, le të kthehemi në realitetin e zymtë shqiptar për ta analizuar atë nën këndvështrimin e teorisë filozofike të Berlinit, lidhur me sjelljen demokratike të qytetarëve tanë në shtet dhe shoqëri, në përputhje me lirinë negative dhe lirinë pozitive që karakterizon secilin prej tyre, duke iu referuar konkretisht protestës së thirrur nga opozita më 27 janar. Natyrisht, pengesat që vijnë nga mungesa e lirisë negative, pra e shtërngesave dhe kufizimeve të jashtëme, janë shumë të pakta, kryesisht të natyrës penguese të forcave policore ditën e protestës për atë kategori indivdësh që vijnë nga rajonet e ndryshme të vendit drejt Tiranës. Gjithë të tjera, pastaj, janë rrjedhojë e mundësisë së përdorimit ose jo të lirisë pozitive të çdo qytetari të veçant, “pa dallim bindje, krahine dhe ideje”, siç kërkohej dikur në kohën e luftës për të mbrojtur lirinë kombëtare. Konkretisht, të ngrihesh që në pikë të mëngjezit, për folur në “koha për t’u zgjuar”; lidhur me pensionet e ulëta, taksat e larta, varfërinë e shtuar, korrupsionin galopant të qeverisë, politizimin dhe paaftësinë e punonjësve të administratës, mbushjen e vendit me bimë narkotike, mungesën e investimeve dhe shërbimeve publike, drejtësinë e kapur politikisht, trafiqet e paligjshme, blerjen qeveritare të votave, etj., dhe të mos dalësh për të protestuar me justifikimin, që “protesta është politike”, do të thotë, se nuk je, as më shumë dhe as më pak, se sa një “Xhorxh pijanec” real, i dehur me “konjak” ideologjik të kohës së shkuar. Një qëndrim i tillë ngjan si dy pika ujë me ligjëratën e “shoqes nga Berati”, në një mbledhje të degës së Partisë Socialiste, se “nuk duam as bukë, as ujë, as drita; vetëm ju të udhëheqjes mos u përçani me njeri-tjetrin, se na bëtë hatanë. Aman, të keqen motra, se e merr pushtetin Saliu”. Problemi i kësaj kategorie të pakënaqurish është, se lirinë pozitive të veprimit në interes të të mirës së tyre, ua kufizon mentaliteti i alkolizuar partiak.
Ky problem qëndron dhe për disa nga ata, që me fjalë deklarohen si “të pavaruar”, po kur vjen puna tek qëndrimi praktik, zgjedhin mospjesmarrjen në protestë, me pretekste të tipit; se “të gjitha partitë njëlloj janë, ku secila lufton për pushtetin e vet, dhe jo për ne”, “duhet që protesat t’i organizojnë sindikatat dhe jo partitë”, etj. Po kështu, “Xhorxh pijanec” të shumtë ka edhe në vet radhët e opozitës, që mosangazhimin e tyre në veprimtaritë politike të forcës që i përfaqëson e lidhin me preferencat për kreun e partisë apo përfaqësuesit e forumeve drejtuese të saj, siç ka ndodhur së fundi në Partinë Demokratike. Zgjedhjet e 25 qershorit 2017, treguan se numri i tyre, i kalonte 200 mijë vetët, të cilët zgjodhën për këtë qëllim mos ushtrimin e lirisë pozitive, që përmban e drejta e votës qytetare në ndryshimin demokratik të keqqeverisjes së vendit gjatë katër vite me radhë nga “Rilindja”.
Pa u ndalur më gjatë në kategorinë e të gjithë këtyre individëve, që pasojat e keqqeverisjes së vendit i vuajnë për shkak të vetndrydhjes së lirisë së tyre pozitive për të reaguar në mbrojtje të të drejtave që u ofron kushtetuta, ligji dhe demokracia, mjafton të themi se me këto qëndrime të alkolizuarish politik ata nuk janë aspak të lirë të marrin pjesë në protestë, për arsye krejtësisht subjektive. Kësisoj, me një qëndrim të tillë, po aq sa interesin e tyre privat ata dëmtojnë indirekt dhe interesin publik.
Në veprën e tij “Mbi lirinë”, Filozofi Viktorin Xh. S. Mill, thotë, se “…individët duhet të lejohen që të veprojnë në çfarëdo mënyre që nuk sjellë dëmtime për të tjerët”. Natyrisht, e drejta për t’ju bashkëngjitur ose jo një proteste apo çfardo lloj veprimtarie tjetër të natyrës demokratike, është një zgjedhje personale e gjithësecilit, ashtu si ajo për të pirë ose jo alkol, por kjo s’do të thotë se s’duhen vazhduar përpjekjet e përbashkëta institucionale për tërheqjen e çdonjerit prej tyre nga rruga e pasivitetit apo mosveprimit. Partia Demokratike dhe lideri i saj, z. Lulzim Basha asnjëherë s’e kanë rreshtur punën për ndërgjegjësimin qytetar të shqiptarëve lidhur me situatën e vështirë në të cilën ka rrëshqitur vendi, si rezultat i keqeverisjes nën pushtetin e “Rilindjes”. Kjo ka qënë arsye, që pavarësisht shtimit të numrit të atyre individëve me sindromin politik të “Xhorxh pijanecit”, në 3-4 protestat e organizuara përgjatë 4 viteve të tij në krye të PD-së, z. Basha, duke respektuar lirinë pozitive të gjithësecilit, ka mundur të mbledh në to një shumicë të madhe qytetarësh, afërsisht sa në fillim të fillim të viteve ’90, kur protestohej për ndryshimin e sistemit politik. Kuptohet, ky krahasim qëndron duke vënë në raport sipas kohëve, numrin e protestuesve me atë të popullsisë së vendit në përgjithësi, pasi siç dihet popullsia e mbetur tashmë në Shqipëri, gati është përgjysmuar. Kundërshtari i tij politik, kur ishte në opozitë para 2013-ës, megjithëse organizonte çdo muaj nga një protestë, nuk mundi ta arrinte qoftë dhe njëherë të vetme këtë sukses numerik, megjithë shkeljen barabare të lirisë individuale, duke ua imponuar pjesëmarrjen shumë prej këtyre protestuesve nëpërmjet pagesave ilegale, pushtetit lokal apo presioneve të tjera detyruese.
Por problem më i madh këtu qëndron në instalimin prej tij të një praktike të vjetëruar në ngritjen e njerëzve për të protestuar, duke mos respektuar liritë dhe të drejtat e tyre qytetare. Kjo është arsyeja që një pjesë e shqiptarëve s’po mësohen ende me lidershipin e Bashës, që është një politikan i moderuar, duke u përpjekur t’i ndërgjegjsojë dhe jo t’i egërsojë qytetarët e vet. Ka një ndryshim të madh midis konceptit për ta rreshtuar qytetarin si “numëror” turme dhe konceptit për t’i dhënë atij lirinë, barazinë dhe dinjitetin që çdo politikan ia jep dhe vetes. Faktikisht, kjo është “vija e kuqe”, që ka hequr historia e zhvillimit politiko-shoqëror, e cila ndan qartazi; ekstremistët me liberalët, diktatorët me demokratët, fjalëmbajturit dhe besëprerët apo të civilizuarit me fanatikët. Me veprimet dhe qëndrimet e tij të deritanishme, ndonëse në opozitë, zoti Basha ka dëshmuar, se për të, qytetarët janë jo vetëm të parët e rrugës, në të cilën kemi zgjedhur të ecim, por edhe të barabartë midis tyre. Vërtetë; punët, profesionet, vendlindja, shkollimi, ngjyra, rraca, kombësia dhe të tjera cilësi si këto i bëjnë inidvidët të dallueshëm nga njeri-tjetri, por të drejtat, i bëjnë të gjithë të barbartë. Këtu problemi qëndron jo tek pohimi, por tek zbatimi praktikë i këtij parimi të rëndësishëm kushtetues. Vënia e të drejtave qytetare, dhe jo e karierës politike në plan të parë; po aq sa ç’është tregues i emancipimit është edhe tregues i besimit tek një e ardhme më e mirë për të gjithë. Në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, me papunësi e varfëri në rritje dhe me pasiguri ekstreme, qytetarët shqiptarë kanë nevojë imediate për një model politik, që të “…ec pas tyre”, siç thoshte filozofi kinez, Lao Tzu. Pra, jo vetëm pas halleve dhe shqetësimeve të tyre, por edhe pas traditës, historisë dhe prosperitetit që i ka karakterizuar gjithnjë. Edhe tek “Dhjata e re”, thuhet që “Zoti i urren…këmbët që turren shpejt drejt së keqes…”, po aq sa “…urren edhe zemrën që thurë plane të këqija”. Turrja drejt së keqes dhe planeve të këqija e një politikani të lartë në krye të vendit apo që aspiron për një post të tillë, sigurisht që fillon me mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të individit. Protesat e 21 janarit 2011 është shëmbulli më tipik i reflektimit të këtyre veseve të ulëta në politik. Një ngjarje e tillë na sjell ndërmend të bërtiturat e Madam Rolandit, përpara se të ekzekutohej në vitin 1793, në kohën e Revolucionit Borgjez Francez: “O liri! Sa krime janë bërë në emrin tënd!”. A nuk është krim në emër të lirisë, nxjerra më forcë dhe makinacione të tjera antidemokratike e njerëzve në protestë, siç ka ndodhur djathtas e majtas deri tani në Shqipëri? Sigurisht, që po! Por, po kaq kriminal është dhe presioni proqeveritar, që vjen përmes medias së kapur apo institucioneve të tjera, për të mos protestuar, pasi sipas tyre, “s’ka asgjë për të ndryshuar”. Nëse të parët janë zjarrvënës, të dytët janë zjarrfikës të protestës, ndaj ka ardhur koha për një rrugë të mesme, si ajo që ka ndjekur deri tani PD-ja e Bashës, por me kushtin, që të bëjë esëll sa më shumë individë të dehur nga propaganda e “Rilindjes” dhe media e “rivdekjes” së shpresës te ndryshimi, duke ndihmuar, së pari, ata “…qës’mund të ndihmojnëveten e tyre”, siç thoshte Uilliam King, kryeministri i KanadasëgjatëLuftës së Dytë Botërore.