Dy ditë pas përfundimit të takimit 3 ditor mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, përkatësisht Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, Shoqata Çamëria dhe PDIU, kanë zhvilluar një protestë para Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
Disa dhjetra protestues me pankarta në duar, kanë ndezur qirinj në trotuarin para godinës qeveritare, në kujtim të të rënëve në Çamëri.
Bisedimet mes Buahstit dhe Kotzias janë vlerësuar nga dy ministrat, por asnjëri nuk ka bërë publike atë që është arritur. Pas përfundimit të takimit 3 ditor, në Tepelenë kanë nisur kërkimet për eshtrat e ushatarëve grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore.
Tahir Muhedini në fjalën e tij tha se në një kohë kur varret e të parëve tanë u shkatërruan në Greqi, në Shqipëri kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë.
Ndërkohë Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së, tha se gjithë këto ditë ne prisnim zgjidhjen e problemeve që kishte Shqipëria me Greqinë.
“Por edhe këtë rradhë ne u informuam nga ministri i Jashtëm i Greqisë, duke mësuar se në bisedime janë diskutuar vetëm problemet e Greqisë. Është për të ardhur keq, më gjeni një rast të asaj që po ndodh në Shqipëri, ku kërkohen eshtrat e ushtarëve grekë, të cilët kanë ardhur si pushtues në Shqipëri.
Si është e mundur sot që familjarët e ushtarëve grekë nuk tërheqin eshtrat e ushtarëve në Greqi, por kërkojnë varreza të tyre në Shqipëri? Si ka mundësi që ministrit të Jashtëm shqiptar nuk i interesojnë të rënët në Çamëri?
Në bisedimet e fundit sërisht avancoi axhenda greke dhe jo ajo shqiptare”, tha Idrizi, duke shtuar se ne prisnim nga kreu i diplomacisë shqiptare zgjidhjen e problemeve tona me Greqinë dhe jo zgjidhjen e problemeve që mund të kenë grekët me Shqipërinë.