Nga Gëzim TUSHI
Në debatet sociale që zhvillohen në shoqërinë shqiptare, shpesh herë ka keqkuptime që vijnë nga interpretimet e nxituara apo të gabuara të natyrës së jetës. Që kanë ndikim social por që shpesh bëhen “perde” që pengon kuptimin dhe interpretimin individual të jetës. Dukuritë e jetës së vërtetë që kanë kapluar tejpërtej shoqërinë tonë, nuk mund të shpjegohen as me slogane as me monotoninë e mërzitshme teorike dhe zhargonin sociologjizant.
Zhvillimet intensive të shoqërisë shqiptare të kohëve të fundit, jo vetëm që kanë kaluar tipologjinë e jetës së kaluar, por dhe kanë sjell material të bollshëm për të pranuar shumë të vërteta të reja të jetës në shoqërinë shqiptare, që kanë qënë panjohura më parë, sidomos të vërtetën se jeta postmoderne shfaqet në thelb një ekuacion që ka dy anë koherente kryesore. Ato janë kompatibile dhe kanë të bëjnë me zhvillimin e integruar të anës materiale dhe shoqërimin në të njëjtën kohë të saj nga prania e përshpejtuar e “revolucioni” të integruar social, mental dhe moral.
Kjo mënyrë jetese e ka bërë imperative kërkesën që njerëzit tanë të largohen pa hezitim dhe me vendosmëri nga ndikimi negative e frenues që kanë në jetën e njerëzve tanë skemat e ngurta artificiale, qoftë edhe influencat supersociale që vijnë nga “pelenat e vjetra” të një lloj idealizmi etik, për të cilin nuk ka më hapësirë në jetën postmoderne. Sepse vrullet e kohës postmoderne nuk janë fare të përshtatshme, për njerëzit që nanurisen apo që ende nuk kanë dalë nga “gjumi dogmatik”.
Nuk mund të themi se kjo kohë është pa të meta. Madje ato mund të jenë shumë. Por nuk kemi si ja bëjmë, jemi të detyruar të jetojmë në kohën kur vetë jeta është bërë si një lloj “makine artificiale”, e cila po dominon me logjikën e saj të ftohtë dhe për pasojë po ndikon tek njeriu nën ndikimin e saj të humbasë shumë tregues të përmasave shpirtërore.
Njerëzit duhet të binden dhe ta tërheqin veten me forcë në rrugën e duhur, duke kuptuar se jeta postmoderne është një realitet social universal dhe kombëtar, që ndryshon me shpejtësi dhe vazhdimisht. Padyshim evolucioni material i kohës së postmodernitetit, është shkaku kryesor që na ndihmon të dalim prej truallit të vjetër të “epokës tradicionale” dhe periudhës shumë të shkurtër kalimtare të “kohës moderne”, duke ecur me shpejtësi dhe tempin e kohës në rrugë e drejtime të reja materialisht dhe moralisht të akseleruara, të cilat janë ritme e fenomene tipike shoqërurese të shoqërisë postmoderne.
Kemi nevojë që masivisht të bëjmë përpjekje për të implementuar një kulturë të re sociale në përshtatje me kohën dhe imperativat e saj. Kjo kohë nuk është e përshtatshme për atë që e gjykon me pritmëri të gjata, pauza jetike, pesimizëm dhe vanitet. Kultura e re është konditë sinqe qua non, për tu adoptuar suksesshëm me kohën në të cilën jetojmë. Ajo duke qënë kohë e përshpejtuar dhe jetë e shpejtësisë së madhe, nuk e duron njeriun që është i përshtatur me përtacinë dhe vonesat në kohë.
Shumë tronditje sociale, kuptime të ngushta dhe keqkuptime të gjëra për dukuritë e sotme në shoqërinë shqiptare, janë të lidhura me faktin që ne nuk kuptojmë apo nuk duam të pranojmë realitetin e ndryshuar, dhe mbi të gjitha pranimin e së vërtetës, se jeta postmoderne shqiptare ka nevojë jo vetëm për përmirësime të situatës materiale por edhe për përshpejtimi të ritmeve evolucionionare duke ecur në rrugën e “revolucionit moral”.
Në këto kushte ndodhemi në një situatë komplekse, të interferuar dhe integruar midis faktorëve material, psikologjikë e moralë kur nga njëra anë evolucioni material duhet nxitur me të gjithë mundësitë dhe kapacitetet, ndërsa “revolucioni moral” duhet të përshpejtohet, duke ndryshuar qëndrimet dhe sjelljet njerëzore si kusht për të qenë adekuate me kohën. Duket se tashmë është imperative që të mësohemi me thelbin e jetës postmoderne, e cila me sa duket ka si orientim detyrues përshtatjen e jetës së njeriut jo me sisteme vlerash morale e sociale të ngurta, por të ndryshueshme dhe të relativizuara.
Kjo është arsyeja që kur njeriu nuk siguron dhe nuk ka aftësi që të bëj përshtatjen e duhur të vetes me kërkesat e jetës postmoderne, e ka më të lehtë të ankohet dhe t’i gjejë shkaqet e dështimit në faktorë social që janë jashtë tij. Dhe për të cilat ai e ka më lehtë që ta konsiderojë shoqërinë si një “xhungël sociale” që është tejet armiqësore me të. Padyshim duke evidentuar me këmbëngulje, madje duke bërë inventarin e plotë të patologjive të shumta me të cilat është e mbushur jeta e sotme e shoqërisë tonë.
Për këtë situatë pak kontradiktore në pamje, sociologët mendojnë se ndodhemi në situatën kur “…hendeku që hapet midis evolucionit tonë të shpejtë material, që na nxjerr çdo ditë e më shumë prej truallit tonë, dhe evolucionit tepër të ngadaltë moral, që s’na jep mundësi tu bëjmë ballë rrjedhojave tragjike të kësaj daljeje”. (Amin Maalouf, “Çoroditja e botës”, f. 60) Kjo është arsyeja pse po shtohen përditë njerëzit me mungesë energjie e aftësie të orientimit të duhur social. Të ndodhur në këtë situatë dhe duke anatemuar faktorët jashtë tyre, shumë njerëzve ka filluar tu duket jeta si një “det i madh pa mundësi për të dalë në breg”. Gjithë problemi tani është, që njerëzit të kuptojnë dhe të përshtaten me logjikën e jetës së vërtetë, e kësaj që është dhe jo të asaj që mund të duam apo që buron nga ëndërimet utopike të njeriut të papërshtatur me kohën.
Ne mund të kemi të drejtë t’i bëjmë vetes dhe të tjerëve pyetje, që janë të natyrshme për të deshifruar kuptimin e vështirë të kësaj jete. Por ka rëndësi që të pranojmë se edhe pyetjet jetike që i bëjmë vetes dhe shoqërisë, sot nuk janë më ato që kanë qënë. Janë pyetje të rinovuara, në përshtatje me kohën postmoderne. Madje për të qënë deri në fund me të vërtetat e kohës sonë, duhet pranuar se tani ajo ka ngritur “pyetje të reja” të panjohura më parë që duan tjetër lloj përgjigjeje. Vështirësia qëndron në faktin se jeta është e mbushur me fenomene sociale të “zhurmëshme”, gjërat janë të paqëndrueshme dhe kakofonike. Kjo është arsyeja që ka tronditur më shumë njerëzit tanë, të cilët duhet të binden se në këtë mënyrë jetese vështirësia e parë është se ajo nuk ka dhe nuk ofron “përgjigje të lehta”.
Gjithë problemi është tek dilema që ka sjellë në shoqërinë shqiptare postmoderniteti, e cila shfaqet si shqetësim gati i përgjithësuar tek njerëzit tanë për të gjetur, pranuar dhe përqafuar kuptimin e saj. Që është ndryshe nga tipologjia dogmatike, e ngurtë e kuptimit të saj në jetën tradicionale. Shqetësimi duket se ka marrë një formë tjetër, në krahasim me të kaluarën e shoqërisë shqiptare dhe kjo ka bërë që njerëzit të kenë dyshime për kuptimin e jetës postmoderne. Duke qënë në dilemë në se vërtet jeta ka kuptim, apo jemi ne që me jetën tonë personale në rradhë të pare, por dhe përmes një dimensioni social të ridimensionuar i japim kuptim asaj.
Sigurisht jetojmë në kohë të reja dhe është e pamundur që në të të orientohemi me parrullat e vjetra të socialitetit primitive të epokës së kaluar. Sot nuk ka më vend dhe hapësira për “parrulla sociale”. Ato edhe sikur t’i përdorësh, nuk kanë më forcën e duhur për të mbuluar esencën e vërtetë të jetës postmoderne. Megjithatë është në natyrën e postmodernitetit krijimi i kushteve që mundësojnë që të vërtetat të kthehen në gabim, dhe kjo ka bërë të mundur që në shoqërinë postmoderne të shfaqet tendenca e injorimit të elementëve konvencionalë të “Konventave të mirësjelljes” njerëzore dhe ato gradualisht të zëvendësohen me “profesionet e mirësjelljes” si shtirje dhe hipokrizi. Koha postmoderne është e “begatë” për shpërthime të egoizmit dhe hipokrizisë njerëzore, si realitete që rrinë fort nën shtresat e dukjeve humane e solidare të socialitetit. Megjithatë nuk kemi nga ja mbajmë. Që të jemi të suksesshëm në lojën e jetës, duhet të braktisim së pari konceptet e vjetra, që akoma burojnë nga filozofia boshe e jetës së “përmbysur”.
Jemi të detyruar të braktisim në një farë mënyre “virtytet e vjetra” të turbulluara që kanë ekzistuar më parë në shoqërinë tone dhe të përshtatemi me efektet revolucionare e transformuese të jetës postmoderne. Tani duket se është koha e duhur për të patur si shoqëri një kuptim të përgjithshëm, në disa aspekte thelbësore, pse jo edhe të “përbashkët” si shoqëri për tiparet dhe natyrën e jetës. Kjo është rruga që na duhet për ta ndihmuar njeriun individualisht por dhe shoqërinë tonë si “tërësi sociale”, që të shkëputemi vendosmërisht nga problemet artificiale dhe kornizat inekzistente sociale. Sepse në kohën e sotme jam i bindur që në tërësinë e pengesave objektive dhe subjective që ka sjellë koha, ato janë pengesat më të rëndësishme.
Shoqëria shqiptare në rrugën e postmodernitetit ka nevojë të riorientohet, duke ecur jo sipas rrugëve të vjetra por sipas “pikëtave të reja” të rrugës morale postmoderne. Ky ndryshim nuk është i vogël. Ai është thelbësor, i rëndësishëm dhe i vështirë për t’u zbatuar. Shoqëria jonë është bërë shoqëri me “konture sociale” të hapura, pa kufij të ngushtë e determinime morale të kufizuara…