Qeveria ka miratuar sot projektligjin që i hap rrugën nisjes së negociatave për kontratën e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës.
Ky ligj përcakton procedurën e veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës.
Procedura e negociimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga komisioni i negociimit të kontratës, i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili kryesohet nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij ka anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme, i cili fillon negociatat brenda 45 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Komisioni i negociimit të kontratës negociion me shoqëritë “Cengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction” propozimin e paraqitur prej tyre dhe përpilon projektkontratën finale, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave.
Projektkontrata, e shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda një afati prej 90 ditësh nga data e nisjes së negociatave, i dërgohet për nënshkrim ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
Nënshkrimi i kontratës nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë bëhet brenda afatit kohor prej 10 ditësh nga data e marrjes së projektkontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë mund t’i kërkojnë komisionit të negociimit të kontratës rishikimin e projektkontratës. Ky komision duhet të rinegociojë dhe t’ua paraqesë për nënshkrim ministrave projektkontratën, të shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave, brenda afatit kohor prej 30 ditësh, duke filluar nga afati i rikthimit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë dërgojnë për miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin e hartuar nga komisioni i negociimit të kontratës, brenda 10 ditëve nga data e nënshkrimit të saj.
Kontrata miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
Data e hyrjes në fuqi e kontratës do të jetë data e hyrjes në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.