Dallimi thelbësor mes reformave të Edi Ramës dhe Donald Trumpit

0
361

Shqipëria vendosi të ndjekë një rrugë të ndryshme nga linja e re e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfundimi? SHBA po shkelqen në ekonomi dhe këtë e thotë FMN-ja, ndërkohë që vendi ynë mbetet në fund të listës, si pasojë e injorimit të ligjësive kryesore ekonomike, që kryeministri Edi Rama as nuk çan kokën t’i kuptojë ndonjëherë. Le të marrim një tregues shumë të rëndësishëm për ekonominë e çdo vendi. Në Davos të Zvicrës, aty ku ka nisur punimet Forumi Ekonomik Botëror, më i rëndësishmi dhe më i madhi në glob, është prezantuar një tjetër raport me rëndësi, Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve 2018. Ky raport përpilohet nga “Insead”, që është Shkolla e Biznesit të Botës dhe nga grupi Adecco.

Në indeksin e këtij viti, Shqipëria është pozicionuar e treta nga fundi, së bashku me Moldavinë dhe Bosnje Hercegovinën në kontinent. Ky raport është një mjet mjaft i mirë për të bërë krahasime dhe për të matur mënyrën se si shtete të ndryshme dhe qytete, rrisin, tërheqin dhe i mbajnë talentet, duke u bërë kështu një armë e fortë në duart e politikbërësve në mënyrë që të adresojnë problematikat kyçe në këtë drejtim.

Konkurrueshmëria e talenteve është një ndër elementët kyç të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe të ardhmes së një ekonomie. Performancën më të mirë e ka Mali i Zi, në vendin e 58-së, Maqedonia ndodhet në vendin e 59-të në botë dhe Serbia ndodhet në vendin e 69-të. Siç vihet re, vendi ynë ka diferencë të konsiderueshme krahasuar edhe me rajonin.

E ndarë sipas nënkategorive të ekzaminuara, Shqipëria renditet mirë vetëm në atraktivitetin e talenteve, por krahasuar me vendet e tjera, apo edhe rajonin, ka performancë më të ulët. Nënkategoria që e “penalizon” më tepër është ajo e njohurive globale, në të cilën renditet e 100-ta në botë, ndër 119 shtete. Ndërsa, në drejtim të edukimit, rritjes së talenteve, mundësimi i nxjerrjes së talenteve, niveli i njohurive etj. performanca e vendit tonë lë për të dëshiruar.

Sipas raportit, Evropa tregon një heterogjenitet të madh, duke përfshirë dallime të mëdha të performancës midis më të lartës në renditje (Zvicra) dhe më e ulëta (Shqipëria). Indeksi ka për qëllim të tregojë rëndësinë e lëvizjes së talenteve dhe impaktin në prosperitetin ekonomik dhe është i hartuar nga Indead, Business School of the Ëorld dhe Adeco Group. Në renditjen globale, Zvicra mban vendin e parë, e ndjekur nga Singapori dhe Shtetet e Bashkuara. Vendet evropiane vazhdojnë të dominojnë renditjen e GTCI, ku 15 prej tyre janë në 25 vendet kryesore.  Në mesin e vendeve jo-evropiane të rangut të lartë këtë vit, janë për shembull Australia (11), Zelanda e Re (12), Kanadaja (15), Emiratet e Bashkuara Arabe (17) dhe Japonia (20).

Politikat e suksesit

Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi projeksionet për rritjen ekonomike botërore në vitin 2018 dhe 2019, duke theksuar se ndryshimet tatimore në SHBA pritet të nxisin investimet në ekonominë më të madhe të botës si dhe të ndihmojë partnerët kryesorë tregtarë. Në përditësimin e “Perspektivës Ekonomike Botërore”, FMN paralajmëroi gjithashtu se rritja e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara ka gjasa të ngadalësohet pas vitit 2022, ku dhe incentivat nga uljet e taksave do të normalizohen.

Paketa tatimore, që shënon ndryshimin më të madh që prej viteve 80′, ka ulur taksën e korporatave nga 35% në 21% dhe ulur gjithashtu barrën për pjesën më të madhe të individëve. Ekonomia e Shteteve të Bashkuara ka treguar vitin e fundit rritje të qëndrueshme vjetore që prej recesionit të fundit në 2007-2009. Fondi rriti projeksionet për botën në 3.9% rritje për 2018 dhe 2019, nga 3.7% që projektoi në muajin Tetor.

Aktiviteti ekonomik në Europë, sipas fondit, ka qenë më i fortë se ç’pritej atëherë, dhe vlerëson tashmë një rritje prej 3.7% për 2017-ën, sipër projeksioneve të muajit Tetor. FMN bëri të ditur se ekonomia e Shteteve të Bashkuara pritet të rritet tashmë me 2.7% në 2018-ën, sipër projeksionet prej 2.3% në Tetor, duke u ndjekur nga një ngadalësim në 2.5% dy vite më vonë. Fondi në Uashington rishikoi gjithashtu projeksionet për Eurozonën, veçanërisht për Gjermaninë, Italinë dhe Holandën, prej fuqizimit të kërkesës brenda dhe jashtë vendeve. FMN mbajti të pandryshuar projeksionet për ekonomitë në zhvillim për këtë vit edhe tjetrin. Për Kinën, fondi pret një rritje me 6.6% këtë vit dhe një ngadalësim në 6.4% në 2019-ën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here