Edhe mësuesit e punësuar me kontratë të përkohshme 1- vjeçare apo në atë që quhet “periudha e provës”, duhet të bëhen pjesë e portalit “Mësues për Shqipërinë”, nëse duan ta ruajnë vendin e punës.
Ata kanë dy mundësi, të garojnë me pikët e vitit të kaluar ose të ritestohen në rast se dëshirojnë të përmirësojnë rezultatin. Janë dy formularë që disponohen nëpër drejtoritë arsimore për të gjithë mësuesit në garë për t’u punësuar.
Bëhet fjalë për formularin e aplikimit dhe formularin e pikëve, të cilët duhet të tërhiqen deri në datën 31 janar. Të parin duhet të paraqiten në drejtoritë arsimore për ta marrë mësuesit, që nuk dëshirojnë të testohen. Për të qenë pjesë e garës, ata duhet të aplikojnë online pa qenë të detyruar të japin sërish provimin.
“Të gjithë kandidatët e portalit 2016-2017, të cilët janë në listë pritje për tu punësuar apo të punësuar me kontratë të përkohshme (leje lindjeje etj) dhe duan të vazhdojnë të jenë pjesë e portalit “Mësues për Shqipërinë”, të paraqiten në DAR për të marrë formularin e aplikimit, sepse duhet të regjistrohen online për të mbajtur Pikët e Dosjes dhe Provimit”,- citohet në njoftimin e drejtorisë arsimore.
Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë aplikuar përgjatë dhjetorit të 2017-ës me dosje, duhet të paraqiten pranë DAR-it për të tërhequr formularin pikëve, si kusht për të qenë pjesë e provimit.
Edhe një javë ka mbetur nga përfundimi i afatit të regjistrimit online të mësuesve, që duan të jenë pjesë e provimit, i cili do të zhvillohet në shkurt. Këshillohet që në fund të aplikimit, çdo mësues të printojë formularin ose të mbajë shënim kodin e gjeneruar nga sistemi, pasi do të jenë të rëndësishëm për të gjithë procesin e punësimit (edhe pas testimit).
E gjithë kjo praktikë punësimi bazohet në udhëzimin nr.38, datë 06.10.2015 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimit dhe largimit nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar” të Ministrisë së Arsimit, i cili parashikohet të integrohet në ligjin për arsimin parauniversitar.