Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka krijuar republikën e padrejtësive. Gjatë seancës parlamentare, Salinaji, ashtu si edhe deputetët e tjerë të opozitës, i ka kërkuar shqiptarëve që të mbështesin masivisht protestën e 27 janarit për të larguar padrejtësinë që po ndodh në Shqipëri.
“Ndërkohë që Shqipëria përpëlitet në varfëri, nga urrejtja kundër qeverisë, ne po diskutojmë se kush do të menaxhoj një faqe interneti.
Në 18 dhjetor kjo maxhorancë përcaktoi republikën e padrejtësisë që ka krijuar në këto katër vite, duke i vënë çatinë.
Kjo maxhorancë vendosi që të zgjedhë prokuror Edi Ramën, duke vrarë shpresën e shqiptarëve për një drejtësi të pavarur.
Duke shkatërruar shpresën e shqiptarëve se në këtë vend mund të ecë dhe ai që është i drejtë, dhe i keqi dhe i ligu, ai që vjedh dhe që bën krime do të shkonte në burg.
Republika e padrejtësisë që ka ndërtuar Edi Rama në këto katër vite është kjo republika që shohim këtu, ku shqiptarët kërkojnë një ditë punë dhe presin të marrin 5 mijë lekë të vjetra ndërsa qeveria dhe deputetet paguhen me miliona.
Në republikën e padrejtësisë së Edi Ramës nuk ka shëndetësi falas, por koncesione. Ndërkohë që kemi kryeministrin që shkon disa herë në vit për të bërë operacione plastike në Amerikë, për të bërë botoks.
Në këtë republikë të padrejtësive, të gjithë shikojnë të ikin nga sytë këmbët, ndërkohë që i vetmi njeri që është kthyer në Shqipëri është vëllai i kryeministrit. A keni parë ndonjë që është kthyer nga emigracioni? Vetëm vëllai i Kryeministrin kthehet dhe bëhet drejtor”, tha Salianji.
Sipas tij, çmimi i energjisë elektrike është rritur dhe nuk u ul siç u premtua, por 600 milion euro janë falur kompanisë CEZ nga Rama me një të rënë të lapsit.
“Burgu i erdhi afër, me Saimir Tahirin por shkatërroi drejtësinë duke i dhënë pasaportat, dhe pas disa kohësh Saimir Tahiri do të kthehet këtu si hero dhe do duartrokitet”, tha Salianji.