Finalizohet operacioni ndërkombëtar antikanabis i koduar “Overseas”
Operacioni mes Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë italiane, me metoda speciale të hetimit, zgjati disa vjet.
Në kuadër të procedimit penal të vitit 2013, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, finalizuan operacionin policor të koduar “Overseas”.
U arrestuan shtetasit:
• Autor Deda (alias Lesaj), 38 vjeç, banues në Lezhë;
• Dodë Prela, 53 vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Lezhë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit:
• R.M., 41 vjeç, banues në Kurbin.
• G.K., 47 vjeç, banues në Lezhë.
Për shtetasit në kërkim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka urdhëruar në datë 25 janar 2018, ekzekutimin e vendimit të datës 17.01.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale të “Trafikim të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimi disa vjeçar, i cili është shtrirë në Shqipëri dhe Itali, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes partnerëve ligjzbatues, është bërë e mundur që në periudha të ndryshme kohore, këtij grupi kriminal i janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e llojit marijuanë, të trafikuara nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në rrugë detare.
Në kohë janë arrestuar edhe shtetas të tjerë.
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se në marrëveshje mes tyre shtetasit Dodë Prela dhe Autor Deda janë financuesit dhe organizatorët kryesorë të këtij trafiku.
Shtetasi R.M. ishte në rolin e personit që siguronte tregun e shitjes së lëndës narkotike në Itali, ndërsa shtetasi G.K. ka qenë në rolin e magazinuesit të lëndës narkotike.
Në rolin e transportuesit të arrestuar më parë janë shtetasit L.M., E.Z. dhe J.LL, të tre nga qarku Lezhë.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.