Për herë të parë opozita ka realizuar një protestë pa flamuj e simbole politike të dukshme. Në vend të tyre protestuesit mbanin në duar pankarta, karikatura dhe instilacione me mesazhe të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Koreografia e protestës ishte e qartë sa më pak flamuj dhe simbole, për të mos u cilësuar një protestë partiake, por një protestë e qytetarëve të nëpërkëmbur.
Në shënjestër të protestës ishte vetëm një person, kryeministri Rama, fotoja e të cilit shfaqej ngado si instilacion a karikaturë, diku i veshur me rrobat klasike të burgut, diku nën gjethen e hashashit, e diku brenda tepsisë, akuza që opozita ka 5 vite që i artikulon publikisht.
Për të dhënë mesazhin, kishte orkestrues që u mësonin protestuesve sesi t’u binin tepsive dhe të thërrisnin në korr parullat e njohura tashmë kundër qeverisjes, Ramës e Tahirit, dhe krimit e hashashit.
Kishte dhe nga ata protestues që parullat i kishin shkruar në trup, ndërsa të tjerë mbanin lart foton e Ramës, me të në krah edhe foton e ish-ministrit të Brendshëm i rrethuar nga shumë të kërkuar të botës së krimit.
Por përtej thirrjeve, tundjes së fshesave, e përplasjes së tepsive dhe prangave që mbanin në duar, protestuesit janë treguar tepër të qetë e të matur duke qëndruar tërësisht jashtë incidenteve.
Madje edhe në largim e sipër në përmbyllje të tubimit shumë syresh janë treguar të kujdesshëm duke mos i flakur banderolat në rrugë, por i kanë vendosur ato të palosura ndanë pemëve në bulevard si për t’i lehtësuar punën punonjësve të pastrimit në Bashki.
Rezultati, shumë zhurmë për asgjë. Përjashtuar disa kapsollave të hedhura para Kryeministrisë, që nuk e përligjnin qëndrimin në këmbë për të paktën 8 orë të 1500 policëve, protesta ishte nga më paqësoret dhe më me pak ndotje urbane se protestat e mëhershme të opozitës.