Presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, foli dhe për kundërshtarin e tij, Bashkim Finon.
“Të gjithë do të dëshironim që ndërhyrja e politikës të ishte zero. Jemi përpjekur që ta shmangim, por nuk kemi arritur ta zhdukim. Sot, në vitin 2018, që unë mendoja që do ishte më pak, është më shumë. Një eksponent i lartë i Partisë Socialiste është përfshirë në garë, ka politizuar garën. Kjo ka bërë që edhe anëtarët e Partisë Socialiste të bëjnë tifozllëk dhe të mundohen që sekretari i Partisë Socialiste të fitojë zgjedhjet për kreun e FSHF-së.
Po ashtu kthehemi te sistemi i Enver Hoxhës, ku njëri i ka të gjitha në dorë. Përse është ndërhyrje e politikës? Po çfarë do Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati që i bën presion votuesve të Shkodrës që t’iu tregojnë për këtë votojnë për FSHF. Çfarë do Vangjush Dako që bën presione në Durrës? Çfarë do Erjon Veliaj që bën presion në Tiranë? Pra ja që ka ndërhyrje të politikës”, deklaroi Duka.