Kryeministri Edi Rama vijon debatet me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur pothuajse çdo komenti apo qëndrimi kritik të qytetarëve ndaj tij. Rama mblodhi mëngjesin e sotëm grupin parlamentar socialist ku foli ndër të tjera edhe për bashkëpunimin e ri me Greqinë apo negociatat për anëtarësim në BE.
Në komentet e qytetarëve, njëri prej tyre e pyet Kryeministrin në rrjetin social sepse nuk informon instancat shtetërore dhe publikun në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, ashtu sikundër bëri edhe Aleksis Tsipras.
Ndërkohë një komentues tjetër ndalet te integrimi, ndërsa i thotë Kryeministrit se Mali i Zi dhe Serbia janë më përpara se Shqipëria në këtë proçes.
“Këtë lagu sot e rruaju mot e ke nga eksperienca me mjekrrën tënde dhe të mirëkuptoj, po nuk kuptoj po edukatën pse nuk përdor apo të mjaftojnë një shkumë sot dhe një brisk mot?!
Mos e mbaj kokën në kazanin e politikës e të medias shqiptare, po mundohu të mësosh ndonjë gjë të hajrit atje në Suedi, se dija nuk rritet si mjekrra, do punë!
Sa për Serbinë e Malin e Zi, ata i kanë hapur negociatat për anëtarësim, katër vjet më parë dhe natyrisht janë më përpara se sa ne sot për sot në atë proçes, po ti gëzohu që edhe ne punuam mirë e fort për ta bërë gati Shqipërinë që të hapë negociatat, sepse negociatat s’janë të qeverisë e të partisë, po të Shqipërisë tënde e time bashkë”, shkruan Rama në rrjet duke iu përgjigjur komentuesve.