Greqia Veriore urë kalimi i drogës nga Shqipëria në Europë. Kështu e komentojnë mediat greke rritjen e trafikut të drogës pas sasive rekord të kapura në 2017. Rritje kolosale e sasisë së drogës së sekuestruar në kufirin greko-shqiptar gjatë vitit 2017 në lidhje me 2016 deri në 200%.
Nga vetëm 4 tonë në vitin 2016, në vitin 2017 policia greke sekuestroi 11 tonë hashash që vinte nga Shqipëria.
Operacionet policore masive dhe rritja e kontrollit në pikat kufitare ka sjellë rezultate ndërkohë që drejtori i policisë së Epirit shpall alarmin për rritjen e prodhimit të drogës sërish.
Në vitin 2017, në zonën e Epirit u sekuestruan 9 tonë e 202 kg kanabis, ndërsa në vitin 2016 vetëm 2 tonë e 770 kg.
Ndërsa në përgjithësi në 2017 u sekuestruan 16 tonë kanabis, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike në gjithsej 12.000 çështje me 17.000 të akuzuar dhe 15.500 të arrestuar.
Greqia është ura e kalimit të drogës jo vetëm në Ballkan e në Europë por edhe në Turqi, pas vështirësive që shkakton zona e luftës për transportin, sidomos në Irak por edhe në zonën kufitare Turqi-Iran.